EKSKLUZIVE/Nga manipuluesit e votave te gjyqtarët, 37 qokat e fundit të Ilir Metës me nënshtetësinë një ditë para hyrjes në fuqi të ligjit të ri

17 Tetor 2020, 20:12

Presidenti Ilir Meta nuk u është ndarë qokave me lëshimin e nënshtetësive shqiptare për njerëz anonimë dhe personazhe të lidhur me histori krimi, korrupsioni dhe këngëtarë damash, deri në orët e fundit të skadimit të ligjit të vitit 1998, duke përdor gjithnjë në mënyrë abuzive një hapësirë në këtë ligj, ku në raste të veçanta parashikohet dhënia e shtetësisë, edhe pa plotësuar kushtet dhe pa ndjekur procedurat, nëse kërkuesi përbën interes kombëtar për Shqipërinë, pra është personalitet i shquar. Në 13 tetor 2020, vetëm një ditë para hyrjes në fuqi ligjit të ri, i cili i jep fund historisë së dhënies së nënshtetësive si të ishin tesera partie, Presidenti Ilir Meta, me dekretet nr. 11779 dhe 11780, ka pajisur me nënshtetësi shqiptare 37 persona të tjerë, me procedurë të jashtëzakonshme dhe pa zbatuar protokollin e sigurisë, me pretendimin se janë ‘asete kombëtare’.

Në 29 shtator 2020 është botuar në Fletoren Zyrtare ligji i ri nr. 113/2020, për dhënien e nënshtetësisë, i miratuar fillimisht në korrik 2020, i kthyer nga Ilir Meta në gusht dhe i miratuar sërish nga Kuvendi, pa asnjë ndryshim në shtator 2020. Ligji merrte fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, pikërisht në 14 tetor, ndërsa Meta ka firmosur dekretet në 13 tetor, duke i shpëtuar përfituesit nga procedura e verifikimit që parashikon ligji i ri. Ashtu si lista me 382 emra të botuar nga Shqiptarja.com., edhe listat e fundit, përmban tre-katër personalitete që e meritojnë vërtetë shtetësinë pa procedura të stërzgjatura, ndërsa pjesa tjetër janë njerëz anonimë dhe personazhe të implikuar në skandale.

Konkretisht, në 13 tetor 2020, Ilir Meta i ka dhënë me urgjencë nënshtetësinë shqiptare si ‘aset kombëtar’, Alban Shalës, një militant i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i arrestuar për manipulim të votave në Runik të Skenderajt. Në emër të interesit madhor kombëtar, Ilir Meta u ka dhënë shtetësinë edhe gjyqtarëve Lumni Sallauka, Arsim Hamzaj dhe Valon Totaj. Pa zbatuar procedurën e rregullt ligjore, Meta i ka dhënë nënshtetësinë shqiptare edhe Valdet Gjinovcit, kreu Ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, i lakuar në Prishtinë pas zbulimit të skandalit të hyrjes së mishit jashtë standardeve në Kosovë.

Edhe në këtë listë nuk mungojnë këngëtarët e dasmave dhe tallavasë, të cilët sipas Ilir Metës janë ‘asete kombëtare’ dhe ‘heronj’. Ata janë Granit Hyseni, këngëtar dasmash, Afërdita Ramiz Janova, (Demaku), këngëtare dasmash dhe tallavaje si dhe Shkëlzen Morina këngëtar. Ilir Meta i ka dhënë nënshtetësinë në limitet e skadimit të ligjit të vjetër edhe Arian Mavriqit, vrojtues shpendësh.

Qokat e fundit të Ilir Metës rrëzojnë edhe një herë reagimet e Presidencës kundër investigimit të Shqiptarja.com mbi skandalin e dhënies së nënshtetësisë, duke pretenduar se përfituesit nënshtetësisë me procedurë të jashtëzakonshme dhe pa plotësuar kushtet ligjore janë ''familjarët e Dëshmorëve të UÇK-së dhe artistët e intelektualët e spikatur shqiptarë në Kosovë, Maqedoni të Veriut e Diasporë''.