Ditën e enjte Presidenca reagoi kundër investigimit të Shqiptarja.com mbi skandalin e dhënies së nënshtetësisë nga Ilir Meta, duke pretenduar se përfituesit nënshtetësisë me procedurë të jashtëzakonshme dhe pa plotësuar kushtet ligjore janë ''familjarët e Dëshmorëve të UÇK-së dhe artistët e intelektualët e spikatur shqiptarë në Kosovë, Maqedoni të Veriut e Diasporë''. Por, në vijim të investigimit, rezulton se vetëm një pjesë shume i vogël e listës me 382 emra janë vërtetë intelektualë, njerëz të respektuar, artistë dhe familjarë të dëshmorëve, të cilët e meritojnë nënshtetësinë edhe duke shmangur procedurën e zakonshme e cila kërkon rreth 1 vit kohë.

Ndërkaq, pjesa tjetër janë njerëz të lidhur me histori korrupsionit dhe skandale të ndryshme kryesisht nga Kosova, të cilëve u është gjendur Ilir Meta, duke u hapur rrugën të marrin një pasaportë shqiptare dhe të lëvizin pa viza brenda Bashkimi Evropian. Ditën e djeshme publikuan një listës me personazhe të dyshimtë që janë pajisur me nënshtetësi nga Ilir Meta në emër të interesit kombëtar, ndërsa sot po sjellim emra të tjerë pjesë e qokave të Presidentit dhe muzikës tallava.  

Mes 382 emrave që Presidenti Ilir Meta u ka dhënë shtetësinë shqiptare pa plotësuar kushtet dhe zbatuar protokollet e sigurisë, me pretendimin se janë ‘asete të kombit’, janë ‘intelektualë të shquar’ dhe ‘familjarë dëshmorësh’, rezulton për shembull nusja e re ruse e Ylli Pangos, ish- ministër i Kulturës së Sali Berishës. Ajo është Maryna Yurii Pango (Lytvyneko/Korolkova), për të cilën Meta është vënë në lëvizje, duke shmangur procedurën e rregullt në dhënien e shtetësisë. Pjesë e listës është edhe Maria Vjacheslav Pacolli (Shichkova), nusja e Behgjet Pacollit, ish-president i Kosovës, biznesmen dhe kryetar i Partisë Aleanca Kosova e Re. Zonja në fjalë nuk plotësonte kushtet ligjore për fitimin e shtetësisë, ndaj Meta e ka futur në kategorinë e ‘asetit kombëtar’, duke i dhënë shtetësinë shqiptare pa procedura.

Në të njëjtën formë, shtetësinë shqiptare e ka marrë nga Ilir Meta edhe Rejhan Vuniqi, e cila shoqëron Behgjet Pacollit nëpër botë. Për ‘merita të veçanta’ dhe si ‘heronj’ janë pajisur me nënshtetësi nga Ilir Meta edhe disa persona, të cilët në fakt rezultojnë këngëtarë dasmash dhe të rrymës së njohur tallava. Ata janë Kujtim Aliu, Imer Rama, Naim Abazi, i cili është edhe bashkëshorti i Mihrije Braha, Shkumbin Kryeziu, Astrit Lekaj, Bekim Kryeziu, Fatmir Muja, autor këngësh etj.

Duke përdorur në mënyrë abuzive pikën 7 të nenit 9 të ligjit për shtetësinë, e cila parashikon dhënien e shtetësisë pa kushte dhe duke anashkaluar procedurat në raste shumë të veçanta dhe vetëm kur Shqipëri ka një interes kombëtar, Ilir Meta u ka dhënë shtetësinë edhe shefit të eskortës së Ramush Haradinaj, Arif Ahmetxhekaj, nuses së djalit të ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, Doruntina Lekaj, një praktikanteje tek ministria e Infrastrukturës, Gentiana Mushica, studentes Valëza Kastrati dhe gjyqtares Emine Salihi.

Në emër të interesit kombëtar, Meta i ka dhënë nënshtetësinë shqiptare pa plotësuar kriteret edhe modeles Majlinda Zeka, ish-partnerja e reperit Majk, pilotit Veton Breznica, një specialisteje në ministri Lea Shllaku, përfaqësuesit të një OJQ Lorik Muçaj, tatimores Anita Nikshiqi, kryetart të Shoqatës së Transportit Rrugor Ruzhdi Kurtishaj etj.

Duke parë këtë abuzim masiv dhe kthimin e Presidencës në fabrikë qokash me nënshtetësinë, Kuvendi i Shqipërisë miratoi para disa muaj një ligj të ri për nënshtetësinë, duke forcuar kriteret dhe duke i kaluar ministrisë mundësinë për dhënien e shtetësisë për interes kombëtar apo interes në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë e sportit.

Ligji i ri u miratua në korrik 2020 por u kundërshtua ashpër nga Ilir Meta pikërisht nga heqja e kompetencës për të dhënë shtetësi në formë qokash dhe e ktheu për rishqyrtim në gusht. Kuvendi e miratoi edhe një herë ligjin pa asnjë ndryshim në fund të muajit shtator 2020, i cili tashmë ka hyrë në fuqi, duke i dhënë fund historisë së skandalit me nënshtetësinë.

Por si në ligjin e ri, kështu edhe në ligjin e vjetër në çdo rast shtetësia shqiptare mund të fitohet nga shtetasi i huaj edhe kur nuk i plotëson kriteret, kur nuk përbën kërcënim sigurinë kombëtare. Dhe pikërisht këtë kontroll mbi sigurinë, presidenti e ka injoruar si në rasti e futbollistit ganez të klubi Tirana, Winnful Essua Joseph Cobbina, që ka fituar nënshtetësinë shqiptare nga Ilir Meta me një procedurë që ka zgjatur vetëm 8 orë.