Ekspertët ligjorë në Komision Hetimor: S'ka asnjë justifikim që Presidenti të shkelë neutralitetin në një fushatë elektoralë

21 Maj 2021, 18:34 | Përditesimi: 21 Maj 2021, 18:34

Në ambientet e Kryesisë së Kuvendit është zhvillur paraditen e sotme mbledhja e radhës e Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Mbledhja ka pasur në qendër raportimin e ekspertëve ligjore të kontraktuar nga Kuvendi për këtë qëllim.

Duke iu referuar rasteve në vende të tjera, eksperti ligjor Erind Mërkuri tha se nuk ka asnjë justifikim që Presidenti të shkelë neutralitetin në një fushatë elektorale.  Sipas tij nuk duhet të ulë autoritetin e institucioneve të tjera dhe gjuha e tij duhet të jetë korrekte. Në formulën e betimit thuhet se ai duhet t'i bindet ligjeve.

Në Komisionin Hetimor ekspertët juristë iu referuan praktikave të Komisionit të Venecias, apo Gjykatave Kushtetuese në vende të tjera, për të përcaktuar ‘kornizat’ se di duhet të jetë sjellja e kreut të shtetit veçanërisht në periudhën kur bëhet fjalë që populli do zgjedhë përfaqësuesit e tij në Kuvend.

Kujtojmë se në mbledhjen e kaluar, Komisioni i dha Metës afat deri të hënën e ardhshme që të vendosë dhe të vijë kur të dojë. Java e ardhshme do të jetë e fundit e aktivitetit të Komisionit Hetimor dhe pritet që të jetë e ngjeshur deri në hartimin e raportit përfundimtar.

r.k./Shqiptarja.com