Ekspertja gjermane: Samiti i Berlinit orientoi zgjidhjen e krizës ballkanike

1 Maj 2019, 09:46

Ndërsa një ditë para Samitit të Berlinit, Presidenti i Kosovës Hashim Thaci ishte optimist për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare me Serbinë, e cila do të sillte stabilitet edhe më të madh në Ballkanin Perëndimor, pas përfundimit të takimit, ai u shpreh se: “Emëruesi i përbashkët mes Kosovës dhe Serbisë ishte mospajtimi”.

Për shumë opinionist, njohës të çështjeve ballkanike, Samiti i Berlinit u mbyll pa asnjë marrëveshje dhe pa përmbushur pritshmëritë e vendeve pjesëmarrëse. Por për Adelheid Feilcke, eksperte e çështjeve të Ballkanit dhe Drejtoreshë e Departamentit të Europës në Deutsche Welled: “Sikur gjysma e konkluzioneve të këtij samiti të çohet seriozisht përpara, atëherë ky samit arriti shumë”.

E ftuar në stacion televiziv publik Phoenix, degë e të mirënjohurit ZDF, Feilcke u shpreh se: “kryefjala e Samitit të Berlinit ishte stabiliteti, rreth të cilit u bashkuan Gjermania, Franca dhe vendet e  Perëndimor. Ai ishte edhe emëruesi i përbashkët politik si dhe një pikënisje realiste pozitive që artikulon qartë interesin për Ballkanin, pa pasur pritshmëri të kota dhe ndezje shpresash.

Për Adelheid Feilcke, është shumë e vlerësueshme që në fund të këtij samiti, Franca dhe Gjermania  dolën me konkluzione politike si: qëndrimi i patundur pro demokracisë, shtetit ligjor, luftës kundër korrupsionit si edhe forcimin e rolit të shoqërisë civile dhe mediave të pavarura. Për eksperten gjermane të politikave ballkanike: “bazuar në këto parametra u caktuan dhe vijat orientuese për zgjidhjen e konfliktit Kosovë-Serbi”.