Ekzekutimi i 27-vjeçarit në Vaun e Dejës/ Viktima dyshohet autor i disa krimeve në Shkodër! Sekuestrohen kamerat e sigurisë

10 Gusht 2020, 16:34 | Përditesimi i fundit: 2020-08-10 16:35:24

VAU I DEJËS- Ekzekutimi i një dite më parë i Gjin Ndojit (Boriçi) ka sjellë në Shkodër specialistë të Krimeve të Rënda të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Vrasja e 27-vjeçarit mëngjesin e djeshëm mendohet se ka ndodhur për larje hesapesh, pasi Ndoj dyshohet se ka qenë autor i disa ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë në qytetin e Shkodrës, teksa ka qenë edhe i dënuar.

Ky është fokusi kryesor i hetimeve, duke mos përjashtuar edhe një pistë tjetër, duke qenë se familja e tij kishte probleme me gjakmarrjen.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se specialistët e ardhur nga Tirana kanë sekuestruar kamerat e sigurisë në aksin Shkodër- Lezhë për të parë lëvizjet e mjetit të viktimës, të marrë me qira pak ditë para se të vritej, por edhe të automjetit të autorëve i cili u gjet i djegur rreth 1 km nga vendi i ngjarjes. Makina e djegur tip "Benz" AA 346 LC  figuron me targa që janë denoncuar të vjedhura që më 20 qershor në Ishëm. Ajo është targa e një makine tip "Fiat Punto" në pronësi të A.K, e cila kishte bërë kallëzim në polici.