Elbasan- '300 mijë lekë në dorë ose të gjobitëm', e vërteta e sherrit mes pronarit të lokalit dhe inspektorëve

24 Nëntor 2019, 10:58

ELBASAN- Elton Kila alias Kastriot Kile, një i pandehur për akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale” dhe me masë sigurimi “detyrim paraqitje” në policinë Elbasan, ka dhunuar në zyrën e tij, kryeinspektorin shëndetësor, Hektor Musaraj. Kila kishte vetëm dy javë që është marrë i pandehur nga prokurori Bledar Mustafaraj dhe çështja e tij ka kaluar për gjykim.

Por hetimi për pastrim parash, nuk ka sjellë asnjë pengesë për Elton Kila, i cili edhe pse kishte një çështje të hapur në prokurorinë e Elbasanit, ka dhunuar në zyrën e tij kryeinspektorin e duhanit në qarkut e Elbasanit Hektor Musaraj. Pas dhunimit që i ka bërë këtij të fundit, mësohet se Kila është larguar dhe ka shkuar në ambientet e policisë së Elbasanit ku ka depozituar dhe një kallëzim penal për Hektor Musaraj, dhe dy inspektorët Ardian Muça dhe Esida Mile. Kjo pasi sipas Elton Kila, tre zyrtarët shtetërorë janë paraqitur në biznesin e tij “bar-kafe” për të ushtruar kontroll për pirjen e duhanit.

Kila pretendon se në këmbim të mosvënies së gjobës prej 3 milion lekë të vjetra, inspektorët kanë kërkuar 300 mijë lekë të vjetra ryshfet dhe i kanë lënë kohë disa ditë që kjo shumë të paguhej prej tij. Në kallëzimin e tij depozituar në polici, në kushtet kur ai nuk ka pranuar të japë ryshfetin 300 mijë lekë të vjetra, dy inspektorë të shëndetit publik në Elbasan kanë shkuar sërish në biznesin e tij dhe kanë kryer një kontroll të dytë, duke vendosur dhe masën administrative prej 3 milion lekë të vjetra. Një gjë e tillë është kryer në 11 nëntor 2019. Nisur nga kjo situatë, Kila pasi është njohur me këtë masë administrative, ka kërkuar të takojë kryeinspektorin e shëndetit në Elbasan Hektor Musaraj, ku dhe ka ushtruar dhunë fizike mbi këtë të fundit dhe inspektorin Ardian Muça.

Si pasojë e sulmit fizik Ardian Muça është dërguar me urgjencë në spital, ndërsa kryeinspektori ka shkuar në polici për të bërë denoncimin. Pas kësaj policia ka arrestuar Kilë për akuzën e “Goditjes për shkak të detyrës” ndërkohë ka nisur një hetim në gjendje të lirë për akuzën e korrupsionit ndaj tre zyrtarëve Hektor Musaraj, Ardian Muça dhe Esida Mile. Kujtojmë që Kila momentalisht është I pandehur për akuzën e “Pastrimit të parave”, pasi për llogari të një hetimi tjetër, prokuroria e Elbasanit ka sekuestruar një pasuri kapitale prej 710 milion lekë të vjetra në emër të Elton Kila dhe familjarëve të tij.