Edhe pse takimi mes Presidentit Donald Trump dhe Presidentit Vladimir Putin nuk do të mbahej më në mënyrë private, siç ishte parashikuar fillimisht, një episod i pazakontë ndodhi gjatë rrugëtimit të tyre drejt vendit ku do zhvillohej samiti: dy liderët udhëtuan vetëm, pa përkthyes, brenda “Bishës”, automjetit presidencial të Shteteve të Bashkuara.
Gjatë 10 minutave që u deshën për të mbërritur në vendin e takimit, ku më pas u bashkuan me nga dy këshilltarë secili, Trump dhe Putin patën mundësinë të bisedonin vetëm.
Brenda mjetit ndodheshin vetëm shoferi dhe një agjent i Shërbimit Sekret. Putin ishte ulur në sediljen e pasme në të majtë, ndërsa Trump në të djathtën. Disa pamje të kapura fshehurazi tregojnë presidentin rus duke buzëqeshur.
Është praktikisht e pamundur të dihet se çfarë u tha në atë bisedë, gjë që vetëm shton misterin rreth diskutimeve private mes dy liderëve.
Një episod i tillë është jashtëzakonisht i rrallë: liderët e dy superfuqive që udhëtojnë në të njëjtin automjet.
“Bisha” është supermakina presidenciale e SHBA dhe një nga mjetet më të sigurta të transportit në botë.



















