Nën tingujt e bandës frymore, besimtarët ortodoksë në Fier kremtojnë Të Premten e Zezë

10 Prill, 22:31 | Përditesimi: 10 Prill, 22:34

Qindra besimtarë ortodoksë dhe qytetarë fierakë ndoqën mbrëmjen e sotme procesionin e Epitafit, në kuadër të së Premtes së Madhe, një nga momentet më të rëndësishme të Pashkëve. Ceremonisë simbolike i paraprinë tingujt e Bandës Frymore, ndërsa epitafi doli në qytet rreth orës 19:30 nga Katedralja e Shën Gjergjit, i shoqëruar nga besimtarë të shumtë të të gjitha grupmoshave. Sipas traditës së përvitshme, procesioni përshkoi qendrën e qytetit të Fierit, duke përcjellë mesazhe paqeje, besimi, shprese dhe ringjalljeje, për t’u rikthyer më pas në kishë mes pjesëmarrjes së gjerë të qytetarëve. E Premtja e Madhe shënon vdekjen e Jezu Krishtit në kryq, ndërsa ringjallja kremtohet mesnatën e së Shtunës së Madhe, kur edhe kulmojnë festimet e Pashkëve. Java e Madhe konsiderohet periudha më e rëndësishme në kalendarin ortodoks, e përqendruar te reflektimi shpirtëror, pendesa dhe zia.

A.M/Shqiptarja.com