Evazion fiskal/ Bllokohet hoteli i ish-deputetit të PD-së në Elbasan

17 Korrik 2019, 16:53

Bllokohet në Llixha të Elbasanit hoteli i ish-deputetit të PD-së në Elbasan, Aurel Bylykbashi. Kryeministri Rama ka publikuar foton e hotelit të bllokuar gjatë aksionit anti-informalitet, po ka fshirë emrin, ndërsa Report Tv mëson se bëhet fjalë pikërisht për hotelin e ish-deputetit të PD-së në Llixha. Kryeministri shkruan se numërimi mbrapsht ka nisur dhe humbja do të jetë e rëndë për çdo shkelës.

"Stop informalitetit. A i’a vlen humbja që sjell bllokimi ligjor për përfitimet nga shkelja e ligjit?! Kushdo që shkel ende ligjin le t’i bjerë lapsit. Numërimi mbrapsht ka nisur dhe humbja do të jetë e rëndë për çdo shkelës" thotë Rama në një postim në Facebook. Bylykbashi pak javë më parë u shoqërua në polici, pasi gjatë krijimit të Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë tha: Ka vëllavrasje, ka luftë civile? Le të ketë!! (lexo ketu)Ndërkohë që në zbatim të planit operacional për luftën kundër informalitetit ministrja Anila Denaj vizitoi dje dy biznese në Tiranë nga ku u shpreh se synimi është ulja e informalitetit dhe eliminimi i konkurrencës së pandershme. Ministrja garantoi të gjithë bizneset që zbatojnë ligjet në fuqi se nuk duhet të shqetësohen nga inspektimet dhe monitorimet e administratës tatimore, pasi objektiv është ulja e informalitetit dhe sigurimi i konkurrencës së ndershme në treg, por theksoi se nuk do të hezitohet në marrjen e masave ndaj çdo subjekti apo njësie tregtare që shkel ligjin. “Garantoj të gjithë bizneset që kushdo që është në mbështetje të procedurave ligjore nuk ka pse të ketë asnjë shqetësim nga inspektimi, as nga tatimi, por mbi të gjitha duhet të trembet nga gjoba nëse në mungesë të respektimit të ligjit ajo gjobë do të vendoset, pasi është në të mirë të konkurrencës së ndershme dhe në respekt të punës, vullnetit tuaj dhe përpjekjeve tuaja që konkurrenca e ndershme të vendoset në vend. Asnjë problem nëse ligji zbatohet, asnjë shirit nëse ligji zbatohet”, u shpreh Ministrja.