Evis Kushi: 10 mln euro çdo vit për hapjen dhe ofrimin e programeve mes universiteteve tona dhe atyre të BE-së

12 Qershor 2021, 23:01 | Përditesimi i fundit: 2021-06-14 14:09:50

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, teksa i është drejtuar delegatëve të kongresit të PS-së, tha se reformat e ndërmarra vitet e fundit bashkë me rezultatet e tyre pozitive vit pas viti kanë treguar se jemi në rrugën e duhur.

Kushi shpreh angazhimin e qeverisë shqiptare për të mbështetur me 10 milion euro në vit hapjen dhe ofrimin e programeve të përbashkëta të studimit mes universiteteve shqiptare dhe atyre të BE, tërësisht në gjuhën angleze, në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës.

"Ne do të punojmë intensivisht dhe do të bashkëpunojmë ngushtësisht me universitetet tona për të sjellë këtu përvojat më të mira evropiane. Ne duam të ngremë struktura ekselence evropiane që mund të jenë edhe programe studimi të përbashkëta, por mund të jenë edhe departamente, fakultete apo edhe universitet si i tërë, për t’i dhënë mundësinë të gjithë atyre që duan të bëhen inxhinierë të aftë, mjekë të dalluar, informaticienë profesionistë që të marrin diploma me vlerë, njësoj si në universitetet më të mira të BE”, tha ajo.