Festa e 7 Marsit, Veliaj dhe nxënësit e gjimnazeve të Tiranës mbjellin pemë për mësuesit

7 Mars 2019, 14:01

Nxënësit e gjimnazeve “Ismail Qemali” dhe “Asim Vokshi” zgjodhën t’ia urojnë ndryshe festën e 7 Marsit mësuesve të tyre. Së bashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ata iu bashkuan nismës për mbjelljen e pemëve, por me qëllimin që pemët e mbjella të jenë dhurata e tyre për mësuesit këtë 7 Mars. Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi nismën e të rinjve dhe përgjegjshmërinë e treguar për qytetin.

“Fakti që ka qenë një nga shkollat model me mësimet, me notat, me sportin, me aktivitete kulturore, me “Tirana Art Fest” dhe me mbjelljet e pemëve, do të thotë se realisht po funksionojmë si një komunitet, ‘një për të gjithë e të gjithë për një’. Kur ishte rasti i bashkisë që “Ismail Qemali” të ishte një shkollë model, e bëmë punën tonë duke e rikonstruktuar plotësisht, por tani që bashkia ka nevojë për pemë, po na përgjigjet gjithë komuniteti i “Ismail Qemalit”, mësues, nxënës, prindër. Sot ju jam shumë mirënjohës”, tha ai.