Festohen Pashkët! Rama zgjedh foton e veçantë, Basha lutje nga Kisha e Shna Ndout

21 Prill 2019, 16:17

Besimtarët katolikë festojnë Pashkët. Urimet për këtë festë të veçantë të besimtarëve i ka ndarë edhe politika shqiptare.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka shprehur sot urimet për gjithë besimtarët e krishterë me rastin e festës së Pashkës.

Me anë të një mesazhi të publikuar të dielën, ai uron besimtarët katolik për këtë ditë të shënuar në kalendarin e krishterë, ndërsa thekson se ditë të tilla duhet t'i shërbejnë kujtdo për të krijuar bindjen se e mira e mund të keqen dhe dashuria e mund urrejtjen.

“Gëzuar festën të gjithë besimtarëve! Qoftë një ditë frymëzimi për këdo se jeta e mund vdekjen, dashuria e mund urrejtjen, optimizmi e mund cinizmin! Bekime e përqafime!”, uroi Veliaj në mesazhin e tij.

Lideri demokrat Lulzim Basha ka shkuar këtë mëngjes në Kishën e Shna Ndout në Laç prej nga ka ndarë urime për besimtarët katolikë dhe gjithë shqiptarët, për kremtimin e Pashkëve.

Lutjet e tij në këtë ditë janë edhe për "çlirimin e Shqipërisë nga padrejtësitë" siç ai shprehet.

Kryeministri Edi Rama uroi besimtarët katolikë për festën e Pashkëve. Ka zgjedhur një urim të veçantë përmes Memorialit në Kuvendin e Troshanit, vendi ku mësoi u rrit, dhe më pas dha mësim At Gjergj FIshta. "Ju uroj pashkë të gëzuar", shkruan kreu i qeverisë në rrjetet sociale.