Fierakët festojnë me këngë dhe valle 'Festën e Grurit'! Petro Koçi: Të rinjtë të mos braktisin fshatin

20 Qershor 2021, 17:14

Pojani i Fierit, një nga fshatrat turistike shqiptare, u kthye në qendër të festimeve dhe traditës myzeqare. Dita e grurit, mblodhi bashkë me qindra banorë. Në Myzeqe muaji qershor është nga më të rëndësishmit për ekonominë bujqësore të zonës, një muaj ku pritshmëria për të ardhurat është e lartë. "Janë festa që përcjellin vlerën dhe traditën tonë të patjetërsueshme, sado të kalojmë te modernia, tradita ngelet baza", tha një banore e zonës. "Duhet të kthehet në traditë pasi të mos harrojmë dhe traditat e vjetra", u shpreh një banor tjetër. Festa e Grurit, me një histori gati shumë vjeçare, e cila edhe këtë vit solli si dikur bukën dhe grurin e ri, këngët dhe ushqimet tradicionale siç është biba në saç. "Është një bukuri myzeqare, është një festë që nënkupton vetë thelbin e Myzeqesë, pjellorinë e tokës dhe shpirtin punëtor të këtyre njerëzve që i japin jo vetëm vetes por edhe kombit produkte që janë jetësore për çdo qytetar. Duhet bërë shumë më tepër që të rinjtë të motivohen të jetojnë dhe të punojnë në fshat. Braktisja e fshatit do të ishte një katastrofë për interesat tona kombëtare", tha zv. Ministri i Mbrojtjes Petro Koçi, i cili ishte i pranishëm në festë.