Një ditë pas festimeve tê Ditës së Pavarësisë, Fieri ka vijuar festimet kuq e zi në kuadër të 29 Nëntorit, Ditës së Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazi- fashistë. Në ceremoninë e zhvilluar në orën 10:00, në Varrezat e Dëshmorëve, kanë qenë të pranishëm autoritetet më të larta vendore, deputetë të Partisë Socialiste, pasardhës të familjeve të dëshmorëve, përfaqësues të Drejtorisë Vendore të Policisë dhe përfaqësues të komuniteteve fetare, të cilët kanë vendosur kurora dhe buqeta me lule në obeliskun kushtuar dëshmorëve.
Fjala përshëndetëse është mbajtur nga nënkryetari i organizatës së veteranëve të Lanç, Vangjel Ndreko i cili ka pohuar se lufta nacional çlirimtare është nję pasuri e çmuar e kombit tonë që na lanë të parët dhe duhet ta ruajmë e t’ua përcjellim brezave.
Ndërkohë, në prononcimin e tij për mediat kryebashkiaku Armando Subashi ka vlerësuar sakrificën e bijve dhe bijave të Fierit që sakrifikuan jetën e tyre për lirinë që ne gëzojmë sot ndërsa mungesën e opozitës në festime e ka konsideruar si vendim i tyre por ne jemi në anën e duhur, ka thënë Subashi.
Ndërkohë, për herë të parë homazheve në obeliskun e dëshmorëve iu është bashkuar “Lëvizja Bashkë” .
“Ne jemi këtu si një lëvizje politike antisystem”, ka thënë kreu i degës së Fierit, Elis Baba, i cili shtoi se duhet ta nderojmë sakrificën e të parëve tanë çdo ditë dhe jo vetëm në ditë të caktuara historike.
















