Firma ndërtimi, hotel, vila dhe tokë/ I sekuestrohen 12 milionë euro pasuri bosit fierak të kokainës

4 Nëntor 2019, 14:47

FIER-Gjykata ka vendosur të sekuestrojë 12 milionë euro pasuri të bosit shqiptar të trafikut të kokainës nga Amerika Latine dhe heroinës nga Turqia, Arjan Shanaj. Fieraku më datë 20 qershor 2017 u arrestua në flagrancë së bashku me grekun Thanasios Karatzounis pasi u kapën në Greqi me 20 kg kokainë, me vlerë të përafërt tregu rreth 800 000 euro (shiko këtu).

E ndërsa Shanaj u arrestua në Greqi, autoritetet shqiptare nisën një hetim të plotë nga ku rezultoi se pasuritë me vlerë 12 mln euro që janë sekuestruar në emër të tij dhe familjarëve janë përfituar nga veprimtaria kriminale në fushën e trafikimit të drogave të forta.

Shanaj së bashku me grupin që vepronte merreshin me importimin, magazinimin, përzierjen, falsifikimin, ricertifikimin, trafikimin, transportimin dhe shpërndarjen e kokainës nga vende të Amerikës Latine. Policia thekson se aktiviteti kriminal i ushtruar nga Shanaj në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike nga Turqia në Shqipëri ishte në gjurmim prej vitesh.

Pasuritë që iu sekuestruan bosit fierak të kokainës
• 3 shoqëri dhe konkretisht shoqëri ndërtimi e tregtimi gazi në Fier, Durrës, Tiranë, Korçë etj.
• 1 hotel trekatësh në Fier dhe një njësi shërbimi bashkëngjitur;
• 2 vila trekatëshe;
• 5 njësi shërbimi me sipërfaqe 7 982 m2;
• 3 apartamente banimi;
• 4 garazhe me sipërfaqe prej 1 092 m2, në Fier, Tiranë, Durrës;
• 8 793 m2 tokë, në Tiranë, Durrës, Fier;
• 20 000 euro në llogaritë bankare;
• Një automjet me vlerë 40 000 euro;

Policia thotë se megaoperacioni policor “Furtuna”u bë i mundur në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Aseteve të Sekuestruara e Konfiskuara, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier. Shanaj tani akuzohet për pastrim parash.