Flet vëllai i kosovarit të arrestuar për grabitjen në Rinas: Miqësia me Muratajn e fundosi

2 Maj 2019, 12:59

Dardan Hajdini, djali i kosovarit të arrestuar si bashkëpunëtor në grabitjen e miliona eurove në aeroportin e Rinasit, thotë se babai i tij është i pafajshëm dhe se nuk ka lidhje me këtë ngjarje kriminale. Në një prononcim për median në Tiranë, Dardan Hajdini tha se arrestimi është i padrejtë. "Kemi të ardhura, nuk kemi nevojë të grabisim", u shpreh ai.

Ndërkohë, Mustafa Hajdini, vëllai i të arrestuarit Ragip Hajdini, shpjegoi edhe se çfarë ka ndodhur në Kosovë me hetimet ndaj vëllait të tij për dy grabitje të ndodhura atje, njëra në Istog ku mbeti i vrarë edhe një polic, dhe tjetra, vjedhja e 24 kg ar në Dhomën e Provave në Komisariatin e Pejës.

Mustafa Hajdini tha se vëllai i tij ka dalë i pafajshëm me vendim të gjykatës së Pejës, pasi nuk janë gjetur prova kundër tij. "Gjykata e Pejës ka marrë pafajësi, ka qenë i arrestuar, por nuk kishte dëshmi, vetëm policia i merr ato gjëra, se nuk mundet një njëri të marrë arin në polici", tha Hajdini.

Arrestimi i vëllait të tij është bërë sipas tij, vetëm për shkak të lidhjeve miqësore dhe familjare me Admir Muratajn, grabitësin që mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë pas grabitjes së 9 prillit në Rinas.  "Ragipi është viktimë, vetëm se ka marrë pjesë na varrim, kam qenë edhe unë me djemtë e mi, Kur i shkohet në dasëm i shkohet edhe në mort. Vetëm për shkak të miqësisë me familjen Murataj", tha Mustafa Hajdini.