Policia e Shtetit ka dhënë detajet e para zyrtare lidhur me operacionin e zhvilluar sot në Elbasan, ku u arrestuan disa anëtarë të fisit Çapja. Mësohet se janë arrestuar Enver Çapja dhe Naim Gjarri, ndërkohë që janë dërguar për verifikim edhe 8 persona të tjerë. Në lokalin e Enver Çapjas është janë gjetur fishekë, një sasi parash prej 2100 euro dhe 372 mijë lekë.
Po ashtu, në banesën e Gjarrit, policia ka gjetur një armë zjarri tip pistoletë, 13 fishekë, 1 pistoletë TT, 3 pako me fishekë model 54, 15 fishekë model 9mm dhe një pako e dyshuar si lëndë eksplozive, minë me sahat.
Arrestimi i tyre vjen pas atentatit ndaj Albert Alterziut në Elbasan ditën e djeshme. Sipas burimeve policore, ndërhyrja e FNSH gjatë ditës së sotme lidhet me faktin se nga informacionet e marra në rrugë operative parashikohej vendosja e kësaj bombe të telekomanduar për të eliminuar një person, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.
Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë që kanë ardhur nga Tirana në ndihmë të efektivëve të Elbasanit.