Fraktura në kokë e në duar/ Banorët e Astirit bëjnë për spital punonjësin e IKMT, Balliu: I provokoi, duam dialog!

7 Nëntor 2019, 15:49

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot paradite në “Astir”, ku protestuesit e kësaj zone kanë goditur me mjete të forta një prej punonjësve të IKMT teksa punonte, duke i shkaktuar fraktura të forta në kokë dhe në duar. I plagosuri është Albert Bitraj 50-vjeç dhe është transportuar me urgjencë drejt spitalit të Traumës në Tiranë. Sipas burimeve 50 vjeçari po punonte dhe teksa lajmëronte banorët e kësaj zone të cilët u preken banesat nga ndërtimi i rrugës, është sulmuar me mjete te forta duke i shkaktuar edhe plagë të rënda.

Ish-deputeti demokrat Klevis Balliu kërkoi nga qeveria që të ulet në dialog me banorët për të gjetur një zgjidhje. "Banorët e Unazës kërkojnë dialog, përplasja nuk shërben për asnjë. Gërvishtja më e vogël ndaj një eksponenti apo oficeri të policisë, apo punonjësi të shtetit është gërvishtje për shoqërinë dhe për të gjithë. Nuk ka pse të ketë përplasje të tilla kur mund të ketë dialog. Përplasjet janë dicka e shëmtuar dhe e turpshme e cila dëmton cdo njeri. Banorët kanë një vit që kërkojnë dialog.

Në një vit asnjë person nuk ka ardhur të flasë me ata. Ata vijnë sot dhe u thonë 'dilni nga shtëpitë ditën e hënë'. Ky është provokim, cfarë taksirati ka punonjësi i IKMT apo qytetarët që të gërvishten, që të mbushin xhepat politikanët. Një përfaqësues ti marrë banorët dhe të diskutojë dhe të zgjidhet me dialog. Ja do të vijë IKMT do të shembë shtëpitë, ai dhe policia nuk duan ti dhunojnë, por merr një urdhër nga një person që rri në Surrel. Banori është i detyruar që të rezistojë. I bëj thirrje PS-së që ti kërkojë kryetarit dhe qeverisë dialog, dialog kanë bërë shtetet edhe kur kanë qenë në luftë, ky nuk bën dialog me qytetarët" tha Balliu.

Ndërkohë me anë të një reagimi, "IKMT denoncon fort këtë akt barbar mbi punonjësin e saj dhe kërkon nga organet përkatëse të shtetit të marrin masat e menjëhershme për vënien para përgjegjësisë së autorëve. Po ashtu IKMT u bën thirrje banorëve dhe qytetarëve, se punonjësit e saj janë në shërbim të ligjit dhe komunitetit dhe nuk do të tërhiqen për asnjë moment nga detyrat e tyre, pavarësisht sjelljeve rrugaçerore, barbare dhe të paligjshme."

Edhe pse ditën e djeshme ARRSH u bëri thirrje disa familjeve që kanë pranuar të marrin shpërblim për të dorëzuar dokumentacionin në mënyrë që të marrin paratë, të tjerë banorë të Astirit vijojnë të jenë skeptikë dhe kanë vijuar të mos bien dakord për dëmshpërblim. Ata kanë dalë edhe sot në protestë ku kanë dhunuar edhe punonjësin e IKMT i cili po punonte.

E.L./d.ba./Shqiptarja.com