Vizat, komisioneri Avramopoulos: S'kemi kërkesë nga Holanda, Shqipëria po afrohet me BE

21 Maj 2019, 12:16 | Përditesimi i fundit: 2019-05-21 14:58:58

Parlamenti holandez një muaj më parë miratoi një rezolutë për t'i kërkuar Komisionit Evropian të rikthejë vizat për shqiptarët nisur nga kriminaliteti i shtuar në këtë vend mes shtetasve tanë. I pyetur mbi këtë cështje dhe mundësisë që një gjë e tillë të ndodhë, Komisioneri i BE-së për Migrim dhe Çështjet e Brendshme Dimitris Avramopoulos nga Tirana, ku ishte i pranishëm në aktivitetin e FRONTEX, theksoi se ende në zyrat e Komisionit nuk ka ardhur asnjë kërkesë nga Holanda. Por nëse në të ardhmen do të ndodhë, ai tha se para se të merret një vendim do të bëhet një analizë e kujdesshme.

"Ne nuk bëjmë komente për atë që vendoset në nivelin e vendeve anëtare, por për derisa thelbi kryesor ka të bëjë me mekanizimin për pezullimin e vizave, që ka interes të madh për ju, më lejoni t'u them se Komisioni nuk ka marrë asnjë njoftim që kërkon pezullimin e vizave. Për asnjë vend në Europë që përfiton. Nëse mund të ndodhë në të ardhmen, më besoni se do të bëjmë një analizë të kujdesshme nëse një veprim i tillë do të duhet të merret apo jo në përputhje me procedurat dhe informacionin që ka të bëjë me rrethanat specifike" tha ai.

Komisioneri i BE-së vlerësoi punën e autoriteteve shqiptare për të ndalur fluksin e azilantëve në vendet e BE-së, por shtoi se duhet bërë akoma më shumë, ndërsa kërkoi që të njihen reformat që ka ndërmarrë vendi në prag të hapjes së negociatave.  "Kjo marrëveshje e afron Shqipërinë me BE-në. Nga ana e BE-së ne e kemi dhënë këtë rekomandim në 2018 për çeljen e negociatave dhe i qëndrojmë atij. Siç e dini në fund të fundit është këshilli ai që e merr vendimin për çeljen e negociatave. Që prej qershorit të shkuar Shqipëria ka bërë progres në lidhje me reformën në drejtësi, luftën ndaj krimit të organizuar dhe kanabisit dhe kjo duhet pranuar, duhet njohur. Por ky progres duhet të jetë i qëndrueshëm. Punë duhet për të ndalur numrin e aplikimeve të pabaza për azil, dhe unë shoh angazhimin e autoriteteve shqiptare për ta arritur këtë" tha ai.

Lidhur me këtë cështje kryeministri Rama është shprehur se numri i shqiptarëve të paligjshëm në vendet e BE-së ka rënë me 27% sipas raportit të fundit të institucioneve të Brukselit, po ashtu edhe azilkërkuesit me 32%. "Emigracioni i paligjshëm i shqiptarëve vijon që të bjerë në mënyrë të ndjeshme dhe bazuar në raportin e 2018 të KE-së, në 2018 e kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme për në BE 27% më pak shqiptarë se një vit më parë, ndërsa kërkesat për azil janë ulur me 32% në gjysmën e parë të 2018 krahasuar me 2017. Falë bashkëpunimit të disa vendeve partnere që u përballën me këtë problem faktikisht emigrimi është minimizuar në shifra të papërfillshme" tha Rama.