Prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por Shqipërinë nuk e ka harruar kurrë dhe malli për atdheun e bën të kthehet jo pak herë aty ku u rrit.
Për të tretin vit, doktor Angjelin Shtjefni, ditët e pushimeve i ka vënë në dispozicion të banoreve në Fishtë të Zadrimës në Lezhë, duke ofruar vizita mjekësore dhe medikamente të ndryshme falas për ta
Duke njohur problemet e zonës, doktor Angjelini thotë se ka qenë një ëndërr e tij që të rikthehet e t’u shërbeje banoreve dhe kjo, është më e pakata që mund të bëjë...
“Kam pas fatin që kam lindur në këtë fshat dhe kam përjetuar problemet e këtij fshati. Nuk kisha mundësi të shërbeja sepse isha caktuar në zonat e larta të Pukës. Ka qenë një ëndërr e imja që një ditë të ja shpërblej zonës time sepse nuk harroj respektin që më kanë dhënë . Është kënaqësi kur takoj njerëzit. Shprehin respekt të jashtëzakonshëm, por problemet më kryesore janë problemet kronike dhe sidomos mënyra e regjimit që kanë. Shumë gjëra janë që rirregullohen dhe pa mjekim. Një problem që kam hasur është që akoma ekziston ideja që duhet të kontrollohesh vetëm kur ke shqetësim. Krejt e kundërta. Sipas moshave duhet të vizitohesh të paktëm një herë në vit”, u shpreh mjeku.
Mjeku Shtjefni thotë se misionin e tij për të qenë në shërbim të komunitetit të zonës ku është lindur dhe rritur do ta vazhdojë çdo vit.
“Fillimisht marr informacione, sa pacientë kam dhe mundohem që aq sa kam mundësi pa ju ndryshuar mjekimin jua ofroj 2-3 muaj falas. Jo vetëm që do ta vijoj por këtë vit doja që ta zgjeroja stafin. Kisha një infermier. Por për shkak të COVID nuk mund të vijë”, tha mjeku, Angjelin Shtjefni.
Të shumtë janë banorët të cilët janë bërë pjesë e vizitave dhe konsultimeve me doktor Angjelinin. Ata vlerësojnë maksimalisht kontributin e këtij mjeku për të cilin kanë shumë besim dhe shpresë.
“Ne jemi të kënaqur. Është humane. Të vish prej Amerike dhe të mbledhësh njerëzit kështu është diçka e madhe. Kush ka fatin me u vizituar tek ky është gjë e madhe”, u shpreh një pacient.
“Pas zotit kemi besim tek ky. E ka vlerësimin me vete”, tregoi një tjetër.
“Doktori ka vite që ka ikur, por ky nuk e ka harruar popullin e vet. Na kujton çdo verë. Vetëm se të shkojë me pushime sikur shokët e vet, vjen e ju shërben bashkëfshatarëve me receta dhe ilaçe. Kemi shumë besim”, u shpreh një paciente.
“Jemi shumë të kënaqur prej tij. Jemi vizituar sa herë ka ardhur nga Amerika. E vlerësoj shumë sepse punon me shpirt. I ndihmon njerëzit me të gjitha”, përfundoi një paciente.
Doktor Angjelin Shtjefni është diplomuar si mjek i përgjithshëm në vitin 1987 dhe menjëherë ka nisur punën në zonat e thella të Pukës. Më pas në vitin 1996 është larguar nga Shqipëria, duke migruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku dhe është specializuar dhe vazhdon profesionin e mjekut.