Fshehën dhomat e hotelit në Velipojë për të shmangur taksat, arrestohen dy inspektorët

17 Korrik 2019, 16:18

SHKODER - Dy inspektorë të Taksave në Bashkinë e Shkodrës u vunë në pranga dhe një person tjetër u shpall në kërkim, pasi akuzohen për korrupsion pasiv. Po ashtu po hetohet në gjendje të lirë pronari i një hoteli në plazhin e Velipojës, për fshehje të të ardhurave.

Sipas hetimeve të kryera, inspektorët e Bashkisë, kanë falsifikuar dokumentet në këmbim të marrjes së ryshfetit në një hotel në plazhin Velipojë, duke e favorizuar të mos deklarojë numrin e saktë të dhomave të këtij hoteli me qëllim mospagimin e taksës reale që përfiton Bashkia Shkodër.

U arrestuan inspektorët e Drejtorisë së të Ardhurave në Bashkinë Shkodër Bledar Pori, 32 vjeç Isa Mandia, 63 vjeç ndërsa Denis Hoxha 32 vjeç është shpallur në kërkim. Pronari i hotelit është P. A., 36 vjeç, banues në Velipojë, Shkodër, dhe do të hetohet në gjendje të lirë për veprën penale “Fshehja e të ardhurave".

Në zbatim të planit të masave për Sezonin Turistik 2019, policia ka ushtruar kontrolle në disa subjekte në Plazhin e Velipojës, ku janë evidentuar shkelje të bëra nga ana e punonjësve të bashkisë Shkodër dhe subjekteve në lidhje me deklarimin e të ardhurave. Operacioni policor ishte i koduar “Akomoduesi"

Prokuroria e Shkodrës do të hetojë për veprat penale “Shpërdorim detyre“, “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike“, “Falsifikimi i dokumenteve“ dhe “Fshehja e të ardhurave

Dy ditë më parë, kryeministri Edi Rama teksa prezantoi drejtoreshën e re të Tatimeve, Delina Ibrahimaj, paralajmëroi ndëshkime kundër informalitetit.

    No videos found.