Rama: 15 mijë kasa joraportuese, nuk do të tolerohet asnjë biznes...çdo faturë do kalojë në sistem dixhital! (VIDEO)

TIRANE - Përpara administratës Tatimore, kryeministri Edi Rama prezantoi drejtoreshën e re të Tatimeve, Delina Ibrahimaj, e cila deri dje ishte në krye të INSTAT, Institutit të Statistikave. Kreu i qeverisë tha se arsyeja e largimit nga detyra të Enton Duros, ish-drejtuesit të Tatimeve, erdhi për shkak të mungesës së rezultateve, dhe tha se pika kryesore ku do të fokusohet detyra e drejtueses së re, është pikërisht arritja e objektivave.

Në një takim që mbajti në kryeministri me drejtuesit e Tatimeve, Rama radhiti një sërë problematikash të evidentuara në këtë sektor, ku më kryesorja ishte mos lëshimi i faturave tatimore nga bizneset.

Shefi i mazhorancës tha se janë 15 mijë kasa që nuk raportojnë, ndërsa ngriti alarmin ndaj mallrave të akcizës, si alkooli, karburantet, cigaret, por edhe sektorin e turizmit dhe ndërtimeve, që sipas tij nuk derdhin kontribute në Tatime.

Rama tha se do të nisin konsultimet publike për një sistem të dixhitalizuar të faturave tatimore, përmes së cilit do të ketë kontroll në kohë reale të tyre. Në fund, kryeministri ju drejtua me një apel bizneseve, duke thënë se pavarësisht politikave lehtësuese për sipërmarrjet, tregu nuk është formalizuar. Kush nuk lëshon fatura tatimore - tha Rama - do të marrë ndëshkimin e merituar. 

Një qëndrim të prerë e mbajti edhe ndaj administratës Tatimore, se kush nuk plotëson objektivat e arritura, nuk ka më vend në të

"Situata politike e gjithë 6 mujorit të parë ka qenë në disfavor të punës suaj, performancës së shtetit, dh në këtë aspekt mund të ketë hapësirë për një mirëkuptim me bizneset dhe konsumatorët, por nuk është i mirëkuptuar asnjë drejtues i administratës Tatimore që nuk përmbush objektivin e rezultatit të përmuajshëm. Nuk është i mirëkuptuar asnjë punonjës, asnjë inspektor terreni që nuk përmbush objektivin e përmuajshëm dhe nuk do të ketë mirëkuptim për asnjë syresh", tha Rama.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:25
Rama - bizneseve: Iku koha e këshillave! Kush nuk lëshon faturë dhe sprovon shtetin, nuk do tolerohet!

Kryeministri Edi Rama ju drejtua me një apel bizneseve, duke thënë se pavarësisht politikave lehtësuese për sipërmarrjet, tregu nuk është formalizuar. Kush nuk lëshon fatura tatimore - tha Rama - do të marrë ndëshkimin e merituar. 

"Hetimi tatimor nuk mund të jetë një trup paraleminitare inspektimesh për inspektim. Duhet të jetë shërbimi inteligjent i Tatimeve, syri që shesh aty ku të tjerët nuk shohin, veshi që dëgjon aty ku të tjerët nuk dëgjojnë, iniciuesi i goditjeve mbi bazë pune inteligjente, jo trupa që turret nëpër dyer sipërmarrjesh dhe që më shumë bën dëm sesa sjell rezultat. Unë kam besim që drejtuesja e re së bashku me ekipin drejtues të ministrisë dhe Tatimeve, nën monitorimin sistematik të zv.kryeministrit i kanë të gjitha mundësitë për të bërë sukses, por suksesi në këtë moment dhe në këtë drejtim kërkon sakrificë. Jo në kuptimin e ndonjë heroizmi, por e angazhimit të çdo individi dhe çdo strukture me fokus objektivin. Duke i uruar drejtueses së re sukses dhe duke ju uruar të gjithëve ju sukses do e mbyll me një apel për të gjithë biznesin. Kemi zgjedhur prej jo më shumë se 6 muajsh një qasje këshilluese, informuese, edukuese duke mos preferuar të shkojmë tek hapi i fundit, kjo periudhë ka përfunduar, dhe besoj që legjislacioni është shumë i qartë, dhe masat që legjislacioni parashikon për çdo biznes që nuk punon rregullisht me faturat përkatëse, janë të atilla që nuk ja vlen aventura e mos lëshimit të faturës. Dihet që nëse nuk lëshon një kupon në një lokal të mbyllet lokali, të mbyllet njësia tregtare, për një periudhë që sjell një dëm të madh. Kështu që ju lutem të gjithëve mos e sprovoni administratën dhe mos e sprovoni shtetin sepse nuk do të tolerohet askush", tha Rama.

Ora 12:18
Rama ngre alarmin për cigaret, alkolin. karburantet dhe ndërtimet: Në Sarandë 550 euro nata, por asnjë kontribut në Tatime!

Mallrat që për të cilat paguhet akcizë ishin një tjetër problematikë që kryeministri Edi Rama nxori në fokus gjatë takimit që pati në kryeministri me drejtues të administratës Tatimore. Turizmi, cigaret dhe karburantet bëjnë ende abuzime që ndikojnë drejtpërdrejtë në të ardhurat tatimore. Rama tha se asnjë lehtësi që i është bërë sipërmarrësve nuk është reflektuar në formalizimin e tregut, pasi ende vijojnë abuzimet, ku shembull tha Sarandën, atje ku apartamentet shkojnë deri në 550 euro nata, por që nuk derdhin asnjë kontribut në Tatime.

"Më thoni ju si mundet që karburantet, cigaret, akcizat në përgjithësi, përfshirë pijet alkoolike, por edhe ndërtimi, të mos adresohen nga ky sistem administrativ në mënyrë të koordinuar. Për të mos folur për turizmin, për shkak të sezonit, por dhe në vazhdimësi. Kemi bërë një ulje drastike të TVSH të turizmit në 6 % në funksion të formalizimit të treguar, sipërmarrja është lehtësuar, tregu nuk është formalizuar. Dhe përsëri mungon analiza e riskut.

Në Sarandë ka apartamente 550 euro nata, dhe dalin të rezervuara. Kjo flet për një rritje pozitive në funksion të zhvillimit të turizmit dhe rritje të të ardhurave. Si mundet që për këto apartamente të mos ketë kontribute në Tatime?

Cigaret dhe karburantet e kemi thënë vazhdimisht që kërkojnë një adresim të integruar mes tatimeve dhe doganës, shkëmbim të dhënash nga momenti i hyrjes deri tek konsumatori fundor, përbëjnë 40 % të të ardhurave të doganës, dhe çdo rrjedhje aty ka një impakt negativ të drejtpërdrejtë.

Skemat e mashtrimit me TVSh tek ndërtimi, janë goditur por nuk janë eliminuar, vazhdojnë", tha Kryeministri Edi Rama.

Ora 12:13
Rama: Nisim konsultimet publike, cdo faturë tatimore do kalojë në kohë reale në sistemin dixhital

Shumë shpejt do të nisin konsultimet publike për të vënë në zbatim faturën elektronike. Të gjitha bizneset që do të lëshojnë fatura tatimore, do të monitorohen në kohë reale nga një sistem dixhital. Dhe jo vetëm kaq. Për të shmangur faturat fiktive, kontrolli do të jetë edhe ndaj faturave që bizneset paguajnë përmes bankës, por edhe faturat mes vetë bizneseve. Kryeministri Edi Rama tha se të gjitha transaksionet do të jenë transparente dhe në kohë reale të shfaqura në sistem.

"Po punojmë për projektin e fiskalizimit, për faturën elektronike dhe nxjerrjen mbi sipërfaqe të të gjitha transaksioneve në mënyrë transparent duke kaluar në një mode dixhital ku çdo faturë në kohë reale është e monitorueshme dhe merr fund epoka e faturave fundore. Por edhe për faturat mes vetë bizneseve, madje do të monitorohet nëpërmjet sistemit dhe fatura e pagesës nëpërmjet bankës, që mos të ketë fatura fiktive. Megjithatë kjo nuk e përjashton faktorin njeri, organizim, koordinim dhe veprim i përditshëm në terren përmes syve njerëzor", - tha kryeministri Edi Rama në një takim me drejtues të administratës Tatimore.

Ora 11:53
Rama: Po kthehet fenomeni i korrupsionit, kush mban përgjegjësi për 15 mijë kasat joraportuese në biznese? (VIDEO)

Kreu i qeverisë foli me tone të ashpra sa i përket mosfunksionimit të kasave në shumë biznese, duke ngritur pyetjen se kush duhet të mbajë përgjegjësi për 15 mijë kasa në biznese që nuk raportojnë. Në një takim me drejtuesit e Tatimeve, Rama tha se janë rishfaqur fenomenet e dikurshme të aktiviteteve individuale apo në grup për qëllime korruptive.

"Si mundet të pranohet sot të kemi 15 mijë kasa jo raportuese në biznese që figurojnë aktive nga 112 mijë të tilla. Kujt i kërkohet përgjegjësia çdo ditë lidhur me këtë? kush i mbulon në territor këto pika të kuqe alarmi dhe si mundet që të gdhijë dita e re, java tjetër, muaji tjetër, dhe këto pika të kuqe alarmi të mbeten të kuqe? Pse kompanitë e kasave nuk gjobiten? Ligji është i qartë për to. Është ngritur një sistem që konsiderohet funksional më Tatime së bashku me FMN që Fondi e ka marrë si model për tu përdorur në vendet e tjera, me module risku që duhet të jenë bazë e analizës dhe trajtimit të vizitave në terren të një aktivitete inteligjent dhe ka vetëm një motiv dhe anarki brenda administratës ku janë rishfaqur fenomenet e dikurshme të aktiviteteve individuale apo në grup për qëllime korruptive", tha kryeministri.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë