Gara për kreun e PD/ Berisha u mbyll dyert Kokalarit, Balliut dhe Salianjit, s’iu pranon kandidaturën! Aplikimin e dorëzon vetëm një mjeke

30 Prill, 11:41 | Përditesimi: 30 Prill, 11:41

ë mesditë skadon afati për dorëzimin e kandidaturave që duan të bëhen pjesë e garës në zgjedhjet për kreun e Partisë Demokratike. Sali Berisha është siguruar që në garë të jetë pa rivalë, referuar dhe udhëzimit të ri të publikuar vetëm 24 orë përpara afatit përfundimtar për kandidatët, duke përjashtuar nga gara të dënuarit me vendim të formës së prerë si dhe ata që nuk janë anëtarë të partisë.

Evi Kokalarit, Alesia Balliut dhe Ervin Salianjit nuk i është pranuar aplikimi. Përfaqësuesit e këtij të fundit i kanë lënë dokumentet në recepsion, një gjest ky simbolik. Të 3 kanë thënë se dokumentacionin do e dorëzojnë dhe në rrugë elektronike dhe pse gjasat për tu pranuar si kandidatë, janë zero. I vetmi aplikim që është pranuar është ajo e mjekes Mejreme Sela, ndërsa e vetmja kandidaturë e zyrtarizuar është ajo Sali Berishës.

Udhëzimi që mban datën 18 mars, por i publikuar vetëm dje duke i lënë 24 orë afat kandidatëve të përgatisin të gjithë dokumentet, përjashton automatikisht nga gara të dënuarit me vendim të formës së prerë, pra Salianjin të dënuar me 1 vit burg për dosjen 'Babale'. Sali Berisha thotë se Evi Kokalari nuk mund të jetë pjesë e garës pasi nuk është anëtare e Partisë Demokratike, një prej kritereve bazë. I njëjti argument vlen dhe për Alesia Balliun. Ndërkohë për Ervin Salianjin përdoret dhe termi “vetëpërjashtim”, pasi doli kundër drejtuesve të partisë, një arsye më shumë për të mos qenë në garë. 

A.A/Shqiptarja.com