Gazetari Elton Qyno jep detajet për vrasjen e Regis Runajt në Elbasan, vrasësi: Si e futa në kurth

8 Shtator 2020, 16:50

TIRANË- Prokuroria e Elbasanit, ka arritur të pendojë dhe marrë në mbrojtje, njërin nga autorët e vrasjes me 27 goditje thikë të Regis Runaj, ngjarje e ndodhur në 29 korrik 2020, në dalje të Elbasanit. Personi që ka lidhur një kontratë bashkëpunimi dhe ka treguar gjithçka mbi vrasjen e Regis Runaj, është i arrestuari Euglen Halili. Ai është penduar për krimin e kryer, duke pohuar se viktimën Regis Runaj, e kishte shok dhe vrasjen e ka kryer për llogari të Xhuljano Hoxha. Ky i fundit e ka paguar me një sasi të konsiderueshme euro dhe mandej, ka qenë Euglen Halili, ai që filluar të planifikojë vrasjen e mikut të tij Regis Runaj. Runaj dhe Halili, mësohet të kenë konsumuar së bashku një sasi kokaine dhe mandej janë nisur në drejtim të varrezave të qytetit. Udhëtimi është kryer me një motor.

Sipas dinamikës së ngjarjes, Euglen Halili, fillimisht e ka qëlluar mikun e tij me thikë, teksa ishin të dy duke lëvizur me motor. Goditja ka ndodhur nga prapa dhe Runaj, nuk ka pasur asnjë mundësi të reagojë dhe kundërvihet për tu vetëmbrojtur. Runaj, është qëlluar pa pushim me thikë teksa drejtonte motorin. Sipas dëshmisë së Halilit, ata të dy janë rrëzuar nga motori dhe sërish Halili, ka vijuar ta qëllojë me thikë, derisa Runaj ka humbur jetën. Në total, Runaj u qëllua 27 herë me thikë nga Euglen Halili. Pas vrasjes ky i fundit, është larguar me motorin që drejtonte viktima, mjet nga i cili u zbardh e gjithë ngjarja. Policia ka mundur të sekuestrojë motorin, gjatë kontrolleve në banesat e personave të dyshuar. Pikërisht në këtë motor, u gjendet gjurmë gjaku të viktimës Regis Runaj dhe një gjurmë gishti të Euglen Halilit. Ky i fundit është shoqëruar në polici dhe është njohur me provat e policisë, të cilat implikonin në vrasje Halilin.