Gërmimi arkeologjik i varrit monumental, në Parkun Arkeologjik të Amantias.

9 Korrik, 16:26 | Përditesimi i fundit: 2024-07-09 17:20:52

Përgjatë muajit Qershor, një ekip arkeologësh dhe restauratorësh të D.R.T.K - Vlorë, u angazhuan në gërmime arkeologjike dhe zbulimin e një varri tjetër monumental në hyrje të territorit të Parkut Arkeologjik të Amantias, varr i cili ndodhet në buzë të rrugës që lidh fshatrat Ploçë dhe Amonicë (Bashkia Selenicë).

Ekzistenca e këtij varri, është pretenduar gjatë gërmimeve arkeologjike të shpëtimit të realizuara nga D.R.T.K - Vlorë dhe D.SH.A / IKTK, në vitin 2020, ku në atë vit, u zbulua varri i parë monumental në atë territor.

Duke qenë se, monumenti kishte nevojë për ndërhyrje restauruese, hapje të plotë të sipërfaqes për të mundësuar drenazhimin e ujrave që po e dëmtonin, si dhe studimin dhe dokumentimin e tij, me vendim të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, u miratuan dhe realizuan, ndërhyrjet e domosdoshme të sipërpërmendura. 

Nga rezultatet paraprake, themi se, varri i zbuluar është përdorur për varrime nga shek. I deri në shek. II m.Kr. Brenda hapsirës së varrit monumental me blloqe guri, është ndërtuar një varr me muraturë tulle. Nga elementet e tjerë të zbuluar, tërheq vëmendjen suvatimi i hapsirës së brendshme të dhomës së varrimit. Objektet e zbuluara janë kryesisht enë qeramike të fragmentuara, pak enë të plota, enë qelqi të fragmentuara, si dhe objekte metalike, ku një pjesë e madhe përbëhet nga gozhdë. 

Përreth varrit monumental, u gjetën dhe dokumentuan edhe varre të tjera me tjegulla, të së njëjtës periudhë. Krahas masave paraprake të konservimit, specialistët e D.R.T.K - Vlorë po hartojnë edhe një projekt restaurimi dhe muzealizimi për monumentin. 

Tashmë, në hyrje të Parkut Arkeologjik të Amantias, mund të vizitoni grup varresh monumentale, me arkitekturë të veçantë dhe histori mijëra vjeçare.