Gjinushi i përgjigjet Metës - PJESA E TRETE

13 Korrik 2019, 12:43

TIRANE-Presidenti Ilir Meta sot refuzoi që të dekretonte Skënder Gjinushin në krye të Akademisë së Shkencave pas zgjedhjes pak javë më parë. Një ndër argumentet e Presidentit për rrëzimin e Gjinushit ishte se njëherazi mbante postin drejtues të Partisë Social-Demokrate. Por, i ftuar emisionin Repolitix të drejtuar nga Denis Minga në Report Tv, Skënder Gjinushi e sulmoi Metën pikërisht me argumentin që ai e rrëzoi duke i kujtuar zgjedhjen e tij në postin e kreut të shtetit.  Ish-kreu i PSD-së, tha se Meta bëri fushatë deri ditën e fundit, pavarësisht se ishte zgjedhur President një muaj përpara, ndërsa sqaroi dorëheqjen e tij. 

"Arsyetimi i tij është i falsifikuar. Kur është dhënë dorëheqja dhe kur ka qenë me vlerë, pasi nëse nuk ke dhënë dorëheqjen para kandidimit quhet pa vlerë kandidimi. Ai thotë se refuzon se këshilli i PSD-së ka marrë pranimin për kërkesën për dorëheqjen në 31 maj, por është e pavërtetë, pasi dorëheqja merr vlerën ditën kur e shpall unë dhe nuk e vendos këshilli.

Dhe këshillit nuk i është kërkuar që të miratojë dorëheqjen, por është njoftuar. Dorëheqja është në 15.05.2019, jo në 31 maj (Zgjedhjet u bënë në 24 Maj). Citimi i këshillit është i falsifikuar. Shko pyet në gjykatë kur është dhënë dorëheqja nga Skënder Gjinushi. Në 15.05.2019 e parevokueshme, ndërsa në 31 është zëvendësuar. Dorëheqja është personale.

Po ky president që sot pikërisht risheh kur u dha dorëheqja, kur hyri në fuqi, po lexoj fjalimin e tij kur u bë President, 'pas konsultimeve me këshilltarët juridikë, edhe pse detyrimet e mia fillojnë pas betimit si president, atëherë në 24 korrik, po zgjedhja u bë në 24 qershor, deri atëherë mund të vijoj me angazhimet e mia politike, institucionale, thotë ky, kur Kushtetuta e ndalon rreptësisht të kryejë cdo funksion kur zgjidhesh President.

Edhe thotë të jem kryetar i Kuvendit... Tani thotë tjetrën, edhe pse do të vijoj të jem kryetar i LSI-së deri në 23 korrik.  Pra është zgjedhur President pa dhënë dorëheqjen si kryetar i LSI-së, kur Kushtetuta nuk të lejon as anëtar, ka ndenjur një muaj dhe çregjistrimin e bëri vetëm para betimit. Me këtë logjikë,  Presidenti duhet të pranojë pavlefshmërinë e zgjedhjes së tij dhe mbase lehtëson procedurat e shkarkimit të tij. Ai ka bërë fushatë deri në ditën e fundit" tha Gjinushi.

Skënder Gjinushi u shpreh se procesi zgjedhor ishte i rregullt dhe se pavarësisht hetimit administrativ që kishte bërë Presidenti nuk ka asnjë shkelje, pasi nuk ka pasur ankim. Në situatën aktuale, që është krijuar, ai deklaroi se nuk do të heqë dorë, ndërsa Akademia e Shkencave do të ribëjë kërkesën për emërim pas asaj që Gjinushi e cilësoi si hakmarrje të ish-aleatit të tij vite më parë në politikë, teksa tregoi edhe bisedat dhe mesazhet që i kishte dërguar në javët e fundit.