Gjobë kush përdor qese/ Qytetarët: Ka pasur edhe në kohën e Enverit!

23 Tetor 2019, 20:46

TIRANE- Gjoba me vlerë nga 1 milionë deri në një milionë e gjysmë lekë, do të vendosen për cdo person që  hedh në treg, prodhon apo fut në Shqipëri qese plastike.

Po ashtu qytetarët të cilët përdorin qese plastike pas datës 1 qershor 2020, do të gjobiten nga 30 mijë deri në 100 mijë lek.

Qeveria shqiptare ka hedhur për konsultim disa amendime në ligjin “Për disa shtesa në ligjin nr. 10463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar” që parashikon shtrëngime administrative për importuesit, prodhuesit e mëdhenjë edhe përdoruesit e qeseve plastike.

Sipas projektligjit  subjektet që merren me prodhimin dhe tregtimin e qeseve plastike në vendin tonë duhet të ndalojnë aktivitetin e tyre para datës 1 shkurt 2020, duke lënë një afat 4-mujor deri në zbatimin e ligjit për gjobitjen e këtyre subjekteve.

Tregtarë dhe qytetarë u shprehën për Report Tv se do ti përshtaten versionit të ri të qeseve që do të vendoset, por kishte dhe nga ata që nuk janë dakort me këtë nismë.

“Ishalla bëhet aq më mirë është, para 2020 duhet të hiqen, të dalin vetëm canta lecke. Edhe një majdanoz e duan në qese. Po tu kërkosh lekët nuk i marin qeset, po tua  japësh pa lek i marin. Sallata nuk jepet në qese lecke as në letër.

Dy milionë ta vejne, tre milionë. Ne nuk kemi punë fare.Si të vijë version, do të punojmë edhe ne. Për ti shërbyer klientëve unë duhet të marrë qesen që e kam gati dhe i shërbej. Unë e blej me lek dhe e jap pa lek, sepse nuk mund ti kërkoj llogari për 30 lekshin, me nevojiten për punë.

Edhe në kohën e Enverit ka pasur qese, hidhej orizi, hidhej sheqeri, hidheshin të gjitha. Po si tja bëjmë pa qese, pastaj të mbyllen dyqanet dhe të mos punojmë fare.

Të vendosen, është në rregull”-u shprehën disa prej qytetarëve

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka nisur një fushatë për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike, ku synon që qershori i 2020 ta gjejë Shqipërinë pa qese plastike.