Grabitja e biznesmenëve dyshohet nga njerëz që i njihnin! Vila me kamera dhe sistem alarmi

20 Janar 2020, 10:38

TIRANE-Çifti i biznesmenëve Petrit dhe Aferdita Laze që u plagosën mbrëmë me armë zjarri nga dy persona të armatosur që u futën për t'i grabitur, kanë dalë nga rreziku për jetën. Gjendja e 61-vjeçarit që mori një plumb në bark, pas daljes nga ndërhyrja kirurgjikale është stabilizuar, po ashtu edhe e gruas së tij, që ka një plagë në kofshë nga të shtënat e njërit prej autorëve të grabitjes. 

Dëshmia e vajzës ka hedhur më shumë dritë për të shkuar në gjurmët e grabitësve. Në dëshminë e saj para grupit hetimor, vajza e çiftit, që ka qenë e pranishme në shtëpi në momentin e grabitjes, por fatmirësisht nuk është lënduar është shprehur se autorët ishin dy persona të maskuar dhe njëri prej tyre kishte armë, raporton gazetarja e Report Tv, Xhensila Kodra.

"Ishin dy persona të maskuar dhe njëri kishte armë. Kishim planifikuar për të dalë jashtë Tiranës" është shprehur vajza ndër të tjera para grupit hetimor. Policia dyshon se autorët janë të afërm ose fqinj të çiftit, pasi dinin lëvizjet dhe faktin që kishin planifikuar për të lëvizur nga banesa mbrëmjen e djeshme.

Një tjetër detaj që përforcon këtë pistë është edhe fakti që autorët kanë shkuar direkt në dhomën ku dyshohet se çifti mbante lekët, por ende nuk konfirmohet nëse kanë arritur që të marrin gjë. Policia vijon kërkimet, por deri tani nuk ka asnjë të arrestuar. Dyshimet janë se autorët që kanë vepruar kanë qenë tre, dy u futën brenda për të grabitur, njëri me armë për të kërcënuar dhe tjetri për të kontrolluar, ndërsa i treti i priste jashtë me makinë për t'u larguar me shpejtësi.

Familja Laze jetonte në katin e dytë të vilës, pasi i pari ishte biznes, furrë buke dhe prodhime të tjera të brumit. Ngjarja tronditëse ndodhi mbrëmë në orën 21:40 minuta në rrugën 'Njazi Meka' në zonën e Alliasit. Çifti me origjinë nga Skrapari, prej 1994 ishin zhvendosur në Tiranë ku kishin hapur biznesin e tyre, ndërsa mbrëmë ranë pre e grabitjes.