Grabitja në Rinas/ Policia arreston 4 persona

21 Prill 2019, 20:18 | Përditesimi i fundit: 2019-04-21 21:11:44

Policia e Shtetit ka arrestuar katër persona nga Elbasani të cilët dyshohet se kanë lidhje me grabitjen e ndodhur në datën 9 Prill në aeroportin e Rinasit. Gazetari i Report Tv Arsen Rusta raporton se tre prej tyre janë bashkëpunëtorë ndërsa njëri prej të arrestuarve dyshohet se ka marrë pjesë në grabitje.

Pasditen e sotme janë ushtruar kontrolle të imtësishme në qytetet e Tiranës, Elbasanit dhe Fushë-Krujës për zbardhjen e kësaj ngjarjeje edhe për gjetjen e personit të konsideruar përgjegjës pas Admir Muratajt cili mbeti i vrarë gjatë një shkëmbimi zjarri me forcat e policisë.

Nuk dihet ende identiteti i personave të arrestuar, ndërkohë që pritet që ditën e nesërme Policia dhe Prokuroria të dalin në një konferencë për të dhënë detaje nga hetimet e deritanishme në lidhje me këtë ngjarje.

Më herët Report Tv solli edhe pamje nga servisi ku autorët e grabitjes kanë bërë modifikimin e furgonit 'Hetimi Tatimor' i cili u përdor për realizmin e grabitjes ku u morën 5.7 milionë euro, para të cilat bankat e nivelit të dytë po i transportonin jashtë vendit.

Burime për Report tv bëjnë me dije se servisi kishte më shumë se 6 muaj që i ishte dhënë me qera pikërisht Klement Calës, i cili ka nëshkruar kontratën përmes të afërmit të tij. Klement Cala është person i kërkuar dhe dyshohet se është një prej personave të shpallur në kërkim në lidhje me grabitjen e ndodhur në aeroportin e Rinasit.

Pak ditë më parë nga studio e Repolitix në Report Tv, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj shprehu vlerësim maksimal për Policinë e Shtetit ndërkohë që paralajmëroi se shumë shpejt autorët e grabitjes do të arrestohen.

Ministri tha se do të jenë hetimet që do të përcaktojnë se kush e vrau Admir Muratajn, ndërsa shtoi se nuk beson që ai të jetë ekzekutuar nga bashkëpunëtorët e grabitjes.

Grabitja e ndodhur në datën 9 prill cënoi sigurinë në aeroportin e Rinasit, përgjegjës për të cilën është kompania e koncensionarit Kinez TIA. Vetëm një ditë pas grabitjes drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu tha se shefi i komisariatit të Rinasit do marrë përgjegjësinë e drejtimit dhe menaxhimit të sigurisë brenda aeroportit të Rinasit e cila deri më sot drejtohej nga kompania private e sigurisë.

Ndërkohë që në perimetrin e jashtëm të aerportit u vendosën, efektivë të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura.