Grabitje me armë në Valias, zbardhet dëshmia e punonjësit të argjendarisë: Më vodhën varsen e floririt 8 mln lekë të vjetra! Grabitësi e porositi online, isha me shokun polic

27 Qershor, 15:23

Zbardhen detaje të reja në lidhje me ngjarjen e një dite më parë ku në zonën e Valiasit u raportua për një grabitje me armë zjarri. Burime nga policia bëjnë me dije se punonjësi i një argjendarie, Luis Balliu dhe agjenti i krimeve pranë Komisariatit nr.4, Egzon Mustavataj, janë grabitur nën kërcënimin e armës nga dy persona që ende nuk janë identifikuar nga policia.

Mësohet se atyre u është grabitur një varëse floriri me vlerë 8 milionë lekë. Sipas hetimeve, Balliu kishte për qëllim që të shiste varësen e shtrenjtë një personi tjetër me të cilin kishin folur në rrjetet sociale dhe takimin e kishin lënë në vendin ku i kishte thënë blerësi. Punonjësi i argjendarisë pasi ka patur një varëse të shtrenjtë ka lajmëruar shokun e tij, efektivin e policisë së Komisariatit nr. 4.

Sipas dëshmisë së tyre, pasi kanë mbërritur në vendin e kërkuar nga klienti, një automjet me ngjyrë të zezë, tip "Golf 5", me targa te huaja, ka ndaluar afër tyre. Nga mjeti kanë dalë dy persona të maskuar me kapuç dhe shall ku njëri prej tyre mbante një automatik në dorë. Dyshohet se autori madje ka qëlluar në ajër për të frikësuar dy personat.