Arben Pëllumbi në Repolitix: Në Tiranë synojmë votat e PS-së të vitit 2017 plus rritje natyrale

4 Shkurt 2021, 23:10 | Përditesimi i fundit: 2021-02-04 23:25:11

Sekretari organizativ në Partinë Socialiste, Arben Pëllumbi i ftuar në emisionin 'Repolitix' në Report Tv tha se qarku i Tiranës ka risi për sa i përket përzgjedhjes së drejtuesve politik.

Pëllumbi tha se Erion Veliaj dhe Elisa Spiropali nuk kanë pasur një detyrë të tillë më parë të këtij niveli.

Tirana ka risi në zgjedhjen e drejtuesve të qarkut, qoftë z.Veliaj, qoftë Spiropali, qoftë edhe Ervin Bushati. Veliaj dhe Spiropali nuk kanë pasur një detyrë të tillë të këtij niveli dhe janë figura të reja. Është struktura më e madhe që kemi në Tiranë'- tha Pëllumbi.

Ndër të tjera, Pëllumbi theksoi se ekipi i Partisë Socialiste për drejtimin e Qarkut të Tiranës është shumë herë më i fortë dhe aktiv sesa grupi i PD-së. Deputeti socialist tha se në Tiranë synojnë që të kenë votat e PS-së të vitit 2017 plus rritje natyrale.

'Ka shumë njerëz që po punojnë në Tiranë. Grupi i PS-së është shumë herë më i fortë dhe shumë më aktiv se grupi PD-së. Kemi një grup shumë të mirë me përfaqësues të PS-së. Punojnë sot në Tiranë nën drejtimin politik të njësive administrative në Tiranë. A do të jemi apo jo në listat e kandidatëve për deputet kjo do të vendoset në forumet e PS-së.  Është e pamundur që të rinovosh pjesën më të madhe të listës. Njerëzit që kuptojnë nga drejtimi i partisë nuk kem mundësi që ti përsërisësh çdo vit. Themeli i grupit qëndron.

Tirana bëhet 36 mandate ka marrë dy mandate shtesë. Në këtë kuadër ne nuk është se bëjmë thjeshtë llogari të mandateve në këtë fazë. Varet edhe nga pjesëmarrja e kundërshtarit, ne llogarisim se sa vota do të marrë PS. Ne bëjmë kalkulimet tona, por ne sigurisht që sot punojmë të kemi votat e PS-së të vitit 2017 plus rritje natyrale'- shtoi Pëllumbi.

Nga ana tjetër Pëllumbi shtoi se vendi drejtohet me shpirt dhe se qeveria aktuale ka treguar se ka ditur sesi të veprojë, qoftë në rastin e tërmeteve, qoftë edhe në pandeminë.