Hajdari: Më kërcënuan në Kuvend, merrni masat para se të ketë viktima! Karamelo për Report Tv:E bëri Korab Lita

28 Tetor 2019, 15:24

TIRANE-Kryetarja e grupit demokrat në Kuvendin e Shqipërisë Rudina Hajdari denoncoi sot në foltoren e Kuvendit në nisje të seancës plenare se është kërcënuar në zyrë në Kryesinë e Kuvendit. Hajdari nuk e tregoi emrin e personit që e ka kërcënuar, por kërkoi që të merren sa më shpejt masat që deputetët të kontrollohen para se të futen në Kryesinë e Kuvendit dhe nuk duhet të lejohen me njerëz të tjerë si përforcime, përpara se të ketë viktima në parlament. Ndërkohë që kryetari i Kuvendit Ruçi iu përgjigj duke thënë se shkresën ia ka dërguar ministrit të Brendshëm për të marrë masa për sigurinë e saj.

Por a ka lidhje kërcënimi i vajzës së Azem Hajdarit me atë që po ndodh në grupin Demokrat? Deputeti Ligoraq Karamelo tha ekskluzivisht për Report Tv se deputeti që e kërcënoi është Korab Lita. "Po, e ka kërcënuar Korab Lita" u shpreh Karamelo për Report Tv. Por deputeti Korab Lita e mohoi një gjë të tillë duke thënë se nuk kanë debatuar dhe se nuk e ka kërcënuar Hajdarin.

Por në datë 15 Tetor Rudina Hajdari tha i është ushtruar presion pikërisht nga Korab Lita dhe se ka edhe pamje të Kuvendit të cilat ajo do t'i çojë në prokurori, që e faktojnë këtë pretendim. Nuk dihet nëse deklarata e sotme e Hajdarit lidhet me këtë rast apo ndonjë tjetër, por debati brenda këtij grupi për drejtimin ende vijon. 

Korab Lita që pretendon drejtimin tha sot se nuk i pranoi pesë deputetët e rinj që kërkuan të bëhen pjesë, por Rudina Hajdari pak ditë më parë tha të kundërtën. Ditën e enjte Rudina Hajdari u shpreh se grupi u zerua dhe u konstituua me anëtarët e rinj. "Grupi Demokrat është zeruar dhe ka anëtarë të rinj" tha ajo ditën e enjte, por Korab Lita deklaroi sot se këta pesë deputetë nuk janë pranuar.

Deklaratat në Kuvendin e Shqipërisë
Korab Lita: 
Ju e shkelët rregulloren, pasi ju duhet të bënit vetëm lajmërimin dhe jo interpretimin. Grupi Demokrat ka marrë në konsideratë kërkesat për anëtarësime të reja në grupin parlamentar dhe grupi i mbledhur në datë 24 tetor vendosi të mos pranojë kërkesën e deputetëve për anëtarësimin, do të vijojë të ketë nëntë anëtarë. Me 5 vota pro dhe 3 kundër, u vendos që të mos pranohet asnjë anëtar i ri në grupin Demokrat, do të vijojë të jetë me 9 anëtarë.

Rudina Hajdari: Para pak ditësh u dërgova një shkresë për një kërkesë që të siguroni ambientet e Kuvendit dhe të Kryesisë. Nuk mund të ndodhë sot, që në 2019 që deputetët të kërcënohen. E papranueshme që një femër të kërcënohet. Kam pasur raste që në zyrën time kur persona më kanë ardhur në zyrë dhe më kanë kërcënuar.

Nuk mundet të ndodhë më, ka ikur ajo kohë. Ju lutem, merrni masat para se të kemi ndonjë viktimë këtu në parlament. Sikur janë masat para Kuvendit, masat të jenë në kryesinë e kuvendit, asnjë deputet nuk duhet të hyjë pa u kontrolluar, nuk duhet të marrë përforcime me njerëz të tjerë dhe të shantazhojë. Ju lutëm të merren masat sa më shpejt të jetë e mundur.

Gramoz Ruçi: Zonja Hajdari e kam marrë shkresën tuaj dhe e kam adresuar, u kam kërkuar punonjësve të shërbimit që brenda godinës së kryesisë së Parlamentit punonjësit të bëjnë detyrën dhe në mënyrë të posaçme ia kam përcjellë kërkesën, ministrisë së Brendshme, që të merren masat. I zgjidhni problemet (brenda grupit demokrat) si të doni ju kush largohet nga një grup parlamentar është e drejtë e tyre. Me këtë punë nuk ka punë as kryetari i parlamentit as seanca e kuvendit.

Prandaj problemet që keni brenda vetes i zgjidhni sipas rregullave demokratike. Murrizi lidhur me kohën, kjo është rregullorja e Kuvendit që e kemi miratuar bashkarisht. Do të vazhdojë të zbatohet rregullorja e Kuvendit. Mandati jonë është formal dhe jo hallet e qytetarëve. Sa i përket problemit të dytë keni të drejtë. Ministrja për marrëdhëniet me parlamentin duhet të jetë prezent dhe duhet të mbajë shënim çdo gjë dhe  çdo problem. Nëse keni një kërkesë për kryeministrin depozitojeni