Hapja e kutive/ PD në krye për vjedhjen e votave, LSI në vendin e katërt, Berishës i hiqen votat dhe i shtohet Bashës, vidhen edhe votat e Ramës, i kalojnë Rrahman Rrajës

21 Tetor 2021, 22:27

TIRANË- Rinumërimi i disa kutive të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit nga Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, si provë për integritetin e numëruesve dhe procesit, ka prodhuar surpriza. Rinumërimi ka zbuluar vjedhje votash nga partitë e mëdha, duke ua hequr partive të tjera. Nga hapja e kutive rezulton se subjekti që ka vjedhur më shumë vota është pikërisht Partia Demokratike, e cila megjithatë i humbi zgjedhjet. Numëruesit i kanë shtuar 60 vota Partisë Demokratike, e cila si për ironi ka ngritur një komision hetimor për të hetuar abuzimet e pretenduara në zgjedhjet e 25 prillit 2021. 

Pas PD-së vjen Partia Socialiste, të cilës numëruesit i kanë shtuar 43 vota në mënyrë të padrejtë, duke ua hequr partive të tjera. E treta renditet Partia Socialdemokrate, e cila nga hapja e kutive rezulton se ka marrë 9 vota më shumë. Lëvizja Socialiste për Integrim, partia më problematike sa i takon blerjes dhe tjetërsimit të votës, renditet e katërta, ku u ka marrë 7 vota partive të tjera. Partia Lëvizja Demokratike Shqiptare ka marrë 2 vota tepër, ndërsa Aleanca Demokracia e re një votë. Nga ana tjetër, i janë hequr 4 vota Partisë Bindja Demokratike, dy vota Nismës Thurje, dy vota koalicionit ABEOK dhe një votë Lëvizje për Ndryshim.