HEC-et në Mirditë, banorët largojnë makineritë dhe paralajmërojnë firmën: Ikni ose flasim ndryshe!

20 Korrik 2019, 20:49

MIRDITE-Banorët e Kaçinarit kanë larguar nga zona e tyre makineritë e firmës e cila po ndërton HEC-et. Banorët fillimisht kanë bërë një dëgjesë publike me administratorin e kompanisë "Shperdhaza Energji" Ndue Shkurti, por nuk kanë pranuar asnjë lloj kompromisi, ndërsa kanë kërkuar me cdo kusht largimin makinerive që po merren me ndërtimin e HEC-ve në zonën e Kaçinarit.

Banorët në deklaratat e tyre kanë qenë të prerë se nuk do të lejojnë ndërtimin e asnjë HEC-i në zonën e tyre.  "Firma me mashtrimet e saj ka nisur të ndërtojë rrugën që më pas të bëjë HEC-et, por ne i kemi paralajmëruar që nuk do t'i lejojmë në asnjë mënyrë, uji është i joni dhe nuk do ja lëmë askujt. Kësaj here i kemi larguar përfaqësuesit e firmës nga zona herën tjetër do i kemi punët ndryshe, ne Kacinar nuk do të ndërtohet HEC" thanë ata.

Banoret e fshatrave që preken nga ndërtimi i HEC-eve në Njësitë Administrative Kaçinar e Selitë në Mirditë protestuan edhe pak muaj më parë në qendër të qytetit të Rrëshenit, duke kundërshtuar zbatimin e këtyre projekteve në zonën e tyre.