Helmimi i fëmijëve në kopshtin e Gramshit, vezët rezultuan të kontaminuara me salmonelë

30 Maj 2025, 11:51 | Përditesimi: 30 Maj 2025, 11:51

Helmimi i 17 fëmijëve në kopshtin nr.1 të Gramshit ka ardhur për shkak të vezës së kontaminuar me salmonelë. Burime bëjnë të ditura se nga analizat e bëra nga AKU, ka rezultuar se vezët kanë pasur bakterin.

Analizat iu morën 72 personave, 53 fëmijëve dhe 19 anëtarëve të stafit të kopshtit dhe u dërguan në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik. Nga salmonela rezultuan se ishin prekur 17 fëmijë.

Episodi i helmimit ka ndodhur më 20 maj, por ngjarja u mbajt e fshehtë nga institucionet. Episodi u bë publik pak ditë më pas nga një familjar, i cili denoncoi publikisht helmimin e nipit të tij. Prindërit e fëmijëve dolën në protestë para bashkisë, duke kërkuar hetim të personave përgjegjës dhe marrjen e masave për sigurinë ushqimore.

r.k./Shqiptarja.com