Hetimi për dekretin e 30 qershorit, Meta: Më çmendët me mesazhe! Mezi pres të kthehem tek Parlamenti

4 Shtator 2019, 15:21

TIRANE - Presidenti Ilir Meta ka hequr çdo dyshim! Javën e ardhshme do të jetë në Komisionin Parlamentar Hetimor i cili do të hetojë nëse dekreti i kreut të shtetit për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, ishte Kushtetues ose jo. Bashkangjitur postimit të tij, ku konfirmon pjesëmarrjen e tij, presidenti Ilir Meta ka publikuar një foto nga betimi si President, duke thënë se mezi pret që të rikthehet në parlament, por kësaj radhe ky rikthim nuk do të jetë si kryetar i këtij institucioni, por si presidenti parë në Shqipëri i vënë nën hetim.

"Të dashur miqtë e mi gazetarë, Më “çmendët” me sms tuaja, si asnjëherë tjetër! Po ç’është kjo pyetje kaq absurde që më bëni të gjithë: A do shkoj tek Parlamenti?! Së pari, Presidentit si Kryetar i Shtetit, i takon të jetë shembull i bashkëpunimit institucional. Dhe besoj se në këto dy vite kam bërë gjithçka për vendosur këtë bashkëpunim, në respekt të plotë të Kushtetutës, shtetit ligjor dhe interesit publik. Së dyti, unë mezi pres të kthehem tek Parlamenti", shkruan Meta.

Ditën e djeshme, Komisioni hetimor miratoi me shtatë vota pro dhe një kundër planin për hetimin e presidentit Ilir Meta. Hetimi për kreun e shtetit nëse ka shkelur kushtetutën me anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, do të zgjasë deri më 8 tetor të vitit 2019. Mazhoranca do të ndjekë 9 hapa, ku faza e parë është pikërisht seanca dëgjimore me presidentin Ilir Meta deri në krijimin e një raporti përfundimtar, i cili do t'i prezantohet në fund Kuvendit.

Presidenti Ilir Meta do të dalë të dëshmojë në Komisionin e Posaçëm Hetimor javën e ardhshme, por nuk ka ende një datë zyrtare, ku referuar deklaratës së kryetarit Ulsi Manja, do të vendoset në dakordësi me anëtarët.

Postimi i plotë i presidentit Ilir Meta