Holloi kolonat e pallatit, tërmeti e shembi dhe u mori jetën 2 personave, arrestohet pas 8 muajsh pronari i lokal 'Barons' në Durrës

26 Korrik 2020, 19:02 | Përditesimi i fundit: 2020-07-26 19:07:11

TIRANE-Artur Terziu, pronari i një lokali në një pallat në Durrës, i shembur për shkak të tërmetit, është arrestuar nga policia. 44-vjeçari prej më shumë se 8 muajsh ishte në kërkim për shkak se kishte bërë ndërhyrje në strukturën e pallatit, duke dobësuar kolonat, ç'ka solli shembjen e tij gjatë tërmetit të 26 nëntorit që i mori jetën 51 personave në Shqipëri, dy prej cilëve për shkak të Arturit.

Në dokumentin e akuzws thuhet se pronari i lokalit Bar Barons, Artur Terziu ka holluar muret, bazamentin mbajtës të pallatit, me qëllim përfitimin e hapësirave të mjaftueshme për lokalin e tij si dhe ka shfrytëzuar taracën për të vendosur tre depozita voluminoze në funksion të biznesit të tij, ndërkohë që leja për këtë shtesë është dhënë nga ish-drejtori i ALUIZNIT në Durrës, Flamur Gjuzi.