I arrestuar gjatë super operacionit anti- drogë, kuksiani i dënuar me 10 vite burg 'në sitën' e OFL

2 Qershor 2020, 13:59

TIRANË- Operacioni Forca e Ligjit ka zbritur ditën e sotme  në qytetin e Kukësit, ku u kërkon të justifikojnë pasurinë dy të dënuarve. Report Tv raporton se bëhet fjalë për Zejnel Meçen dhe Bujar Ajeti.

Mësohet se Zejnel Meçe është i dënuar me 10 vjet burgim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me pasoja të rënda”. Ai një nga 19 personat e arrestuar në operacionit anti- drogë në Kukës të zhvilluar më 20 maj të këtij viti.

Ndërkohë, Bujar Ajeti është dënuar për "Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim. Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i plotë i Policisë
Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020. Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

Z. M., banues në Kukës, i dënuar me 10 vjet burgim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me pasoja të rënda”;

B. A., banues në Kukës, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pukë, për veprën penale “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim; Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.