I bëjnë pritë në hyrje të banesës në Vlorë, plagoset me 4 plumba në këmbë 38-vjeçari! Subjekt i OFL

30 Maj 2021, 14:41 | Përditesimi: 30 Maj 2021, 14:41

Vlora nuk gjen qetësi nga atentatet me armë zjarri. Mbrëmjen e djeshme i është bërë pritë dhe qëlluar me armë zjarri 38-vjeçarit Edison Begaj, i cili i ka shpëtuar sulmit në fshatin Kaninë të Vlorë. Begaj është qëlluar me 4 plumba në hyrje të banesës së tij duke mbetur i plagosur. Plumbat e kanë kapur atë në këmbë, ndërsa ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Autori ka qenë në këmbë dhe ka pritur deri sa 38-vjeçari të kthehej në banesën e tij për t'i qëlluar me pistoletë. Ka qenë errësira e madhe në zonë që ka shpëtuar dhe jetën e 38-vjeçarit, pasi plumbat e kanë kapur në pjesën e poshtme të trupit. 38-vjeçari është shfaqur i plagosur në spital dhe ndodhet jashtë rreziku për jetën.

Në dëshminë e tij të parë, Begaj ka thënë para hetuesve se nuk e ka parë autorin dhe nuk e di se kush mund të jetë, kjo edhe për shkak të errësirës në zonë.

Autori ka qenë i fshehur mes ullishteve të Kaninës duke pritur 38-vjeçarin. Ai po qëndronte në këmbë dhe pasi ka qëlluar nga 3 metra largësi Edison Begën është larguar po në këmbë nga vendi i ngjarjes. Më pas është marrë nga një automjet në gjysmë të rrugës dhe është larguar. Policia i është vënë menjëherë nga pas në ndjekje, por autori ka mundur të shpëtojë.

Për ngjarjen  pistat e hetimit janë ajo e prishjes së pazareve të drogës ose një konflikt i kohëve të fundit që mund të ketë pasur 38-vjeçari. Për ngjarjen policia ka shoqëruar 5 persona.

Edison Begaj nuk është një emër i panjohur për drejtësinë. Ai është subjekt i OFL dhe i dënuar dhe kapur disa herë me drogë përgjatë viteve. Në shkurt të 2010 ai është dënuar me 7 vite e 6 muaj burg për drogë. Por ashtu edhe në vitin 2015 Begaj u kap me 50 kg lëndë narkotike të llojit marijuanë "çokollatë", në vendin e emërtuar "Qafa e Kuzum Babasë".  

4 muajt e fundit qyteti i Vlorës nuk ka gjetur gjetësi në lidhje me ekzekutimet me armë zjarri dhe plagosjet ku disa dyshohet për prishje të pazareve të drogës e disa për sherre momentale

b.ha./Shqiptarja.com