I dogji ‘Ferrarin’ e Noizyt, zbardhet dëshmia e autorit, Siar Konti: Më pagoi 6 mijë euro Cllevio Serbiano

13 Gusht 2023, 14:03

Automjeti tip “Ferrarri” në pronësi të babait të këngëtarit Rigels Rajku, i njohur me emrin e artit Noizy, është djegur një javë më parë me porosi të personazhit tjetër të muzikës rep, të njohur si “Clevio”.

Ngjarja ka ndodhur më 6 gusht 2023 në Durrës, ndërsa policia thotë se shkak janë konfliktet e hershme të Noizyt me Kleviol Ahmetin, personazh i njohur në muzikën rep dhe në median sociale edhe si “Clevio”. Më 11 gusht 2023, policia njoftoi arrestimin e shtetasit Siar Konti, nga Vlora, si autor i zjarrvënies në automjetin luksoz të markës Ferrari, me të cilin Noizy është shfaqur disa herë në rrjetet sociale dhe në klipet e tij muzikore.    

Pasi u përball me provat e gjetura nga hetuesit dhe pamjet filmike, sipas policisë, i arrestuari nga Vlora ka pranuar zjarrvënien në automjetin e Noizyt, i cili në dokumentacion, rezulton në pronësi të babait të këngëtarit, Bashkim Rajku.

Gjatë dëshmisë në policinë e Durrësit, mësohet se Siar Konti, ka deklaruar se është paguar 6 mijë euro nga këngëtari “Clevio” për djegien e automjetit të Noizyt.