I jepet lamtumira gruas në Mallakastër! Policia largon nënën e autorit nga varrimi! Burri rrëfen si e mori lajmin: Nipi të dënohet

8 Janar 2020, 15:12

MALLAKASTËR-Është përcjellë për në banesën e fundit 51-vjeçarja Drita Saliaj që u torturua dhe më pas u mbyt nga nipi i burrit së bashku me dy shokët e tij. Nga Greqia ku kishin shkuar si punëtorë sezonalë, janë kthyer burri i viktimës së bashku me dy djemtë për t'i dhënë lamtumirën e fundit, pasi Drita Saliaj ka qenë e vetme në shtëpi. Në ceremoninë mortore, policia nuk ka lejuar që të marrë pjesë kunata e viktimës, pra nëna e njërit prej autorëve të krimit, 16-vjeçarit L.Saliaj, për të shmangur konfliktet.

Ndërkohë që kunata që nuk u lejua nga policia të merrte pjesë në varrim, nuk ka qëndruar as në shtëpinë e saj duke mbyllur derën dhe larguar. Report Tv sjell pamjet nga shtëpia që është e mbyllur. Ahir Saliaj, bashkëshorti i viktimës kërkon drejtësi në mënyrë që autorët e vrasjes së gruas së tij të marrin ndëshkimin e merituar, edhe pse njëri prej tyre është nipi i tij, djali i vëllait. Ai tregon edhe si e mori vesh lajmin tragjik, teksa ishte në Greqi me dy djemtë. 

Akuza në drejtim të 16-vjeçarit vrasës ka lëshuar edhe xhaxhai i tij, Mitat Saliaj. Kunati i viktimës u shpreh se 16-vjeçari që është edhe nipi i tij, që torturoi dhe mbyti 51-vjeçaren në rezervuar ishte përdorues droge. Ai thotë se edhe banesa e tij është grabitur dhe dyshon te tre të rinjtë që vranë gruan e vëllait të tij. Konstatimin Saliaj e ka bërë sot kur është kthyer nga Greqia. Autorët vijon më tej ai, kanë hyrë nga tavani brenda shtëpisë së tij.

Ndërkohë që tre të rinjtë e kanë pranuar autorësinë e krimit, në prani të psikologut dhe avokatit, ndërsa janë shprehur se gjithçka e nisën për t'i grabitur lekët por se situata u doli jashtë kontrollit. Drita Saliaj u gjet e pajetë dje në rezervuarin e fshatit dy ditë pas ngjarjes, nga polumbarët e forcave RENEA. Nipi i bashkëshortit të 51-vjeçares, (djali i vëllait), L.Saliaj së bashku me dy të rinj, shokë të tij, S.Shehaj 16 vjeç banues në Çërrillë dhe Ervis Zotaj 26 vjeç banues në Gjerbës, të tre të arrestuar shkuan në banesën e 51-vjeçares për të grabitur. Gruaja u shërbeu edhe kafe djalit të kunatit dhe shokëve të tij, siç mëson Shqiptarja.com, por më tej ata e kanë goditur dhe dhunuar, ndërsa më pas e kanë lidhur dhe e kanë hedhur në rezervuarin e Lumarës, 3-4 kilometra larg shtëpisë së saj, ku dhe u gjet e pajetë një ditë më pas.