MALLAKASTËR - Një ngjarje makabre ka ndodhur më 5 janar në fshatin Gjerbës të Mallakastrës, ku një 16-vjeçar dhunoi e vrau nusen e xhaxhait, me dy shokë të tij me të cilët kishte hyrë në banesë për ta grabitur. Drita Saliaj u gjet e pajetë në rezervuarin e fshatit dy ditë pas ngjarjes, nga polumbarët e forcave RENEA. Nipi i bashkëshortit të 50-vjeçares, (djali i vëllait), L.Saliaj së bashku me dy të rinj, shokë të tij, S.Shehaj 16 vjeç banues në Çërrillë dhe Ervis Zotaj 26 vjeç banues në Gjerbës, të tre të arestuar, kanë shkuar në banesën e 50-vjeçares për të grabitur. Gruaja i ka shërbyer edhe kafe djalit të kunatit dhe shokëve të tij, siç mëson Shqiptarja.com, por më tej e kanë goditur dhe dhunuar, ndërsa më pas e kanë lidhur dhe e kanë hedhur në rezervuarin e Lumarës, 3-4 kilometra larg shtëpisë së saj, ku dhe u gjet e pajetë një ditë më pas.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në Komisariatin e Policisë Mallakastër janë paraqitur familjarët e 50 vjeçares, të cilët denoncuan largimin nga banesa të Drita Saliajt. Me nisjen e hetimeve pas marrjes së denoncimit u zbulua e gjithë skema e krimit të rëndë.

Shqiptarja.com mëson se të rinjtë e kanë pranuar autorësinë e krimit, në prani të psikologut dhe avokatit, ndërsa janë shprehur se gjithçka e nisën për t'i grabitur lekët por se situata u doli jashtë kontrollit. Babai i 16-vjeçarit, kunati i së ndjerës ndodhet në burg për drogë, ndërsa nëna e tij atë ditë kishte shkuar tek prindërit e saj.

Në një rrëfim për Shqiptarja.com një banor i fshatit Gjerbës, thotë se bashkëshorti dhe 2 djemtë e Dritës bëjnë punë sezonale në Greqi dhe në momentin e ngjarjes së rëndë, ajo ka qenë e vetme në banesë. Banorët e zonës shprehen të tmerruar nga kjo ngjarje makabre, ndërsa sipas dëshmisë për Shqiptarja.com, dyshohet që autorët ta kenë torturuar përpara se ta vrasin, pasi në banesën e saj janë gjetur njolla të shumta gjaku.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet që gruaja ka ndërruar jetë pasi është hedhur nga të rinjtë në rezervuarin plot me ujë, megjithatë do të jetë ekspertiza që do të përcaktojë shkaqet reale të vdekjes.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:36
Kunata e viktimës: I mora djemtë në orën 01:00 dhe u thashë 'ku e keni mamin'...e kanë mbytur me shall

Kunata e viktimës ka dhënë detaje të reja lidhur me ngjarjen tragjike. Ajo tregon se autorët kanë shkuar për ta grabitur pasi kishin mësuar se 50-vjeçarja sapo kishte shitur disa lopë dhe dhenë, duke menduar se i kishte lekët në shtëpi. Kunata zbulon se ka qenë ajo që ka marrë djemtë e Dritës, të cilët ndodhen në Greqi ku bëjnë punë sezonale, dhe i ka pyetur "ku e keni mamin". Sa i përket nipit të bashkëshortit, ajo e përshkruan një djalë me sjellje të keqe.  

"Më iku burri që në 1:20 dhe ka ardhur në orën 07:00 të mëngjesit se ka qenë duke bredhur me policinë. Kam marrë djemtë në telefon që në orën një dhe u kam thënë "ku e keni mamin". Nuk kishte e shkreta asgjë, se i kishte të gjitha në bankë lekët se shiti ca lopë dhe dhentë dhe kanë menduar se i ka mbajtur lekët në shtëpi. Ajo e shkreta s'blinte as një g oriz për atë punë, e jo më të mbante lekë në shtëpi. Ai djali i kunatit ishte shumë i keq, e kanë rrahur kunatin, kanë dashur ta vidhnin disa herë, por prap ne kemi qenë të shmangur. Babai i tij ka rrahur kunatin tim, ai është burg për drogë. Burri i gruas ka ardhur nga Kreta dhe po vjen në Ballsh. E kishin lidhur, e kishin mbytur me shall", tregoi ajo.

Ora 19:37
Detaje të reja nga vrasja makabre në Mallakastër/ 50-vjeçarja i shërbeu kafe nipit të burrit në shtëpi, para se ai ta vriste

Kunati i viktimës, Lazer Saliaj ka dhënë detaje të reja lidhur me vrasjen makabre në fshatin Gjerbë në Mallakastrës, të Drita Saliaj. Ai ka deklaruar se autorët përpara se ta vrisnin kanë pirë një kafe në shtëpinë e saj.

"Jam thirrur mbrëmë në orën 1:00 të natës në polici dhe kam shkuar atje për një sqarim dhe më kanë thënë ke informacion për kunatën. Unë i thashë jo, e kam takuar me datë 28 dhjetor pimë kafe, e pyeta ke ndonjë hall, më tha jo, jam mirë po më dërgoni disa fruta lart. Ia dërguam po atë ditë, dhe pastaj kam ikur në Greqi dhe u ktheva të dielën. Dje gjatë natës erdha me punonjësit e policisë, provuam derën, ishte e mbyllur, thirrëm nga dritarja dhe prap nuk dëgjuam gjë dhe kështu kemi ndenjur deri në orën 6. policia na tha që kshu kshu, autorët janë kapur dhe pastaj shkuam te rezervuar se mesa duket autorët kanë treguar që e kishin hedhur aty, është 6-7 km larg nga këtu. Shkuam atje nxorën viktimën. Autorët  njoh, njërin e kam djalin  e kushëririt të parë. Kunati i viktimës, Lazer Saliaj.

Ata kishin pirë kafe, se dy filxhanë kishte aty, meqë ishin të afërt ajo i ka pranuar brenda. Njëri nga ata është djali i kushëririt të parë, është djali i djalit të xhaxhait tim, është brenda dhe ai vetë, i ati. Ata e kishin ktyer shtëpinë, përmbys si duket për punë lekësh. Kjo ka ndodhur të dielën në darkë', tregoi Lazer.

Ora 19:26
Kunata e 50-vjeçares që u torturua dhe mbyt në rezervuar: Bombë atomike kishte rënë në shtëpi, gjërat më të shpifura, të gjesh rrobat e nënës së shtëpisë...

Kunata e 50-vjeçares ndodhet në banesën e Drita Saliajt, teksa pritet të vijnë bashkëshorti dhe dy djemtë e saj që ishin në Greqi ku punonin me sezone. Ajo thotë për Report Tv, se ngjarja i ka tronditur. Kunata e Drita Saliajt shprehet se banesa ishte e kthyer përmbys duke u ndjerë e prekur si nënë se si mund të torturohej dhe dhunohej kunata e saj me të cilën ka pasur një raport shumë të mirë.

"Duam ndihmë, kërkojmë ndihmë. Ngjarjen e morëm vesh nga policia në 1.20 të natës, thanë është një grindje e vogël. Nuk e dinim që këta kishin bërë...se ishte kaq e madhe, se unë jetoj në Greqi. Gjetëm rrëmujë, bombë atomike kishte rënë çfarë të gjeja më, gjërat më të shpifura që nuk ekzistojnë në rruzullin tokësore, një vrasje makabër, vrave personin, shkatërrove gjithë pronën e tjetrit. Të gjesh rrobat e nënës së shtëpisë si...më vjen për të qarë. Jam prekur shumë si nënë. E kam kunatë, kam 30 vjet me atë kunatë, kam 42 vjet në atë fshat", thotë ajo. 

Burime konfidenciale thonë se e ndjera ka qenë pa rroba kur është gjetur nga policia, dhe ky fakt plotësohet edhe nga dëshmia e kunatës së saj kur thotë e prekur se si e gjetën banesën..." të gjesh rrobat e nënës së shtëpisë..."