I vodhi 60 mijë lekë pacientit që ndërroi jetë nga COVID, në pranga infermierja e Spitalit Infektiv

26 Janar 2021, 15:16 | Përditesimi i fundit: 2021-01-26 20:28:19

Pas rastit të sanitares Tire Alldervishi, policia ka arrestuar një infermiere të Spitalit Infektiv e cila i vodhi paratë një pacienti pasi ky i fundit ndërroi jetë si pasojë e koronavirusit.

Policia ka vendosur në pranga 30-vjeçaren Ronida Hysa e cila banonte në Durrës. Kjo e fundit rezulton se i ka vjedhur një shumë parash në portofolin një pacienti i cili ndërroi jetë si pasojë e COVID-19. Ajo është kapur pas kontrollit të kamerave të sigurisë të spitalit.

Gjithashtu Ronida Hysa ka vjedhur dhe kartën e bankës së pacientit ku më pas tërhoqi një shumë prej 60 mijë lekësh të reja. Kjo ngjarje është denoncuar nga i biri i të ndjerit, 25-vjeçari me iniciale F.D. pranë emisionit investigativ ‘Stop’.

“Ndalimi i kësaj shtetaseje u bë pasi në bazë të pamjeve filmike rezulton si autorja e vjedhjes së një shume parash në portofolin e shtetasit K. D., i cili ka qenë i shtruar në spitalin infektiv, ku ka ndërruar jetë nga COVID-19. Pas kallëzimit të bërë për këtë ngjarje, nga djali i të ndjerit, shtetasi F. D., 25 vjeç, i cili ka deklaruar se nga llogaria bankare e të atit ishte tërhequr shuma 60.000 lekë, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë kanë organizuar punën për identifikimin e autorit” – njofton policia.

Sipas denoncimit të 25-vjeçarit, babai iu shtrua në spital më 22 Dhjetor 2020 dhe humbi jetën më 27 Dhjetor 2020. Djali thotë se para se të shtronte të atin në spital, i kishte dhënë portofolin me 202 mijë Lekë të vjetra, brenda së cilës ndodhej edhe karta e bankomatit së bashku me kodin pin. Por dy ditë përpara se babai të humbiste jetën, denoncuesi tregon se nga bankomati ishin tërhequr para me kartën e bankës që kishte lënë në portofolin e të atit.

Bëhet fjalë për datën 25 Dhjetor, kohë që përkon me ditën kur babai i denoncuesit ishte futur në intubim pasi gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar. Dy ditë pas këtij veprimi, më 27 Dhjetor babai i tij ndërroi jetë për shkak të Covid-19. Punonjësit e spitalit Covid 2 i kthyen denoncuesit sendet personale të babait.