INSTAT: Rriten me 3.4% çmimet në muajin janar, rritja më e madhe te grupi i ushqimeve

13 Shkurt, 12:49

Çmimet në muajin e parë të vitit sipas INSTAT u rritën me 3.4%, që është shifra më e ulët e dy viteve të krizës së çmimeve.

Edhe në janar më shumë janë shtrenjtuar ushqimet. Krahasuar me muajin Janar 2023, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 5,3 %.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 16,4 %, pasuar nga nëngrupet “fruta” me 8,8 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 5,5 %, “mish” me 4,3 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 2,7 %, “peshk” me 2,3 %, etj.