Intervista e plotë/ Eksperti Mamir Hodo: Rritja e gjobës s’garanton siguri! Aksidentet, të ngrihet agjenci kombëtare e sigurisë rrugore

6 Qershor 2021, 19:54 | Përditesimi: 6 Qershor 2021, 19:54

Ndryshimet e reja të Kodit Rrugor që pritet të hyjnë në fuqi janë përqëndruar kryesisht në shtimin e vlerës së gjobave për të gjithë shkelësit. Është rritur vlera e gjobës për disa shkelje, ndërsa ekpertët kanë rezerva në përmirësimin e situatës së aksidenteve dhe qarkullimit në rrugë. Eksperti i sigurisë rrugore, Mamir Hodo, nuk e sheh zgjidhjen tek masat administrative.

“Nuk është masa administrative ajo që garanton sigurinë rrugore, kjo është nga eksperienca e viteve dhe nga studimet që bëhen në këtë fushë. Por, njëkohësisht duke u bazuar edhe tek statistikat e aksidenteve rrugore, të cilat përfshijnë vitet nga 2014-a deri në 2021-shin. Marrim 2014-ën se atëherë janë bërë ndryshimet e Kodit Rrugor dhe duke duke i ballafaquar me rezultatet e arritura në vitin 2019. Aksidentet si numër janë ulur nga viti 2014 në 2019-ën me 21%, vdekjet me 14%, vrarë dhe plagosur janë ulur me 21.8%, referuar alkoolit janë ulur me 52%. Pavarësisht uljes, janë 81 vdekje për 1 milion banorë. Janë shumë të larta referuar me vendet e Bashkimit Evropian”, shprehet eksperti i sigurisë rrugore, Mamir Hodo.