Intervista ekskluzive me Xhisiela Malokun

1 Tetor 2018, 07:24

Flet ekskluzivisht për Report Tv, Xhisiela Maloku, vajza që denoncoi djalin e deputetit socialist Rrahman Rrahja.  Në një intervistë ekskluzive për drejtorin e Informacionit në Report Tv, Muhamed Veliu, ka mohuar të gjitha pretendimet e ish-oficerit të policisë. Vajza kërkoi që gjatë intervistës të mos flitej për dhunën e pësuar nga djali i deputetit socialist edhe pse siguroi se edhe pse e kishte tërhequr në një moment të parë kallzimin, gjithësesi, synonte të kishte drejtësi për këtë çështje. 

Ajo thotë se ka tërhequr kallëzimin në polici sepse ndihej e ngarkuar emocionalisht dhe se e kishte zgjidhur mosmarrëveshjen me Rexhep Rrahjen. Xhisiela Maloku, hedh poshtë pretendimin e ish-oficerit Nuhu se në Komisariat ndodheshin deputetët socialistë, Taulant Balla e Rrahman Rrahja, si edhe kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi.

Një detaj interesant, që del në pah nga kjo intervistë lidhet me faktin se kontakti i parë që Xhisiela Maloku ka patur me ish-oficerin Nuhu ka qenë data 27 korrik, 7 ditë pas denoncimit dhe vajtjes së saj në komisariatin e Krujës. Deklarimi i Xhisiela Malokut rrëzon një tjetër pretendim të Nuhut, për prezencën e deputetëve socialistë në komisariatin e Krujës.