INVESTIGIMI/ Shkolla e Thumanës ishte rindërtuar 2 muaj më parë pas dëmtimit nga tërmeti i 2018

4 Dhjetor 2019, 20:48

U rikonstruktua në shtator të këtij viti me vlerë 58 milionë lekë të rinj, pas dëmtimit të tërmetit të 4 korrikut 2018, por u shkatërrua nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Kjo është historia e pazakontë dhe abuzive me shkollën 9-vjeçare ‘Ramazan Jangozi’ në Thumanë, e cila do të rindërtohet për të dytën herë brenda disa muajsh, pasi nuk i rezistoi tërmetit të martës. Nga të dhënat e siguruara nga Shqiptarja.com dhe Report Tv rezulton, pas tërmetit të 4 korrikut 2018, Bashkia e Krujës, ka kontraktuar studion ‘XH&MILER’ SH.P.K, me inxhiniere Xhulieta Duro, për të përgatitur një raport teknik për gjendjen e shkollë. Sipas raportit, shkolla ishte dëmtuar rëndë dhe nuk mund të shpërbente për procesin edukativ. Në bazë të këtij raporti, Bashkia e Krujës, në prill të këtij viti shpall tenderin për rikonstruksionin e shkollës me fond limit 58 892 767 lekë. Rikonstruksioni u financua nga grantet qeveritare vëne në dispozicion të Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve dhe nga ardhurat e Bashkisë Krujë. 

Tenderin e fitojnë në qershor 2019 kompanitë Eglenti SHPK - REGLI SHPK - SENKA SHPK, me ofertë fituese 58,785,179 lekë. Në 13 qershor të këtij viti firmoset kontrata, sipas të cilës punimet duhet të përfundonin për 90 ditë, pra deri në fillim të muajit shtator 2019. Administrator i kompanisë Eglenti SHPK është Ilir Martini me 100 % të aksioneve, me zyra qëndronte Njësia Bashkiake Nr. 2, Rruga "Budi", Njësia Nr. 33. Ndërkaq pronar me 100 % i kompanisë REGLI SHPK është Njazi Prençi, me adresë në të njëjtën vend me kompaninë Eglenti SHPK. Ndërsa pronare e kompanisë SENKA SHPK rezulton Donika Senka, me qendër në Lushnje. Bie gjithashtu në sy se kulmin e xhirove vjetore nga kryerje e punëve publike, të tria kompanitë e kanë në vitin 2014. 

    No videos found.