DËMET-SHIFRAT/ 4151 objekte të inspektuara në qarkun e Durrësit deri në 17:00, 1735 të pabanueshme, 268 do shemben! 2 u vihet eksploziv (VIDEO)

Ministri fuqiplotë, Bledi Çuçi deklaroi sot në mbledhjen e qeverisë se janë 12 mijë persona që janë akomoduar në hotele, çadra, qendra sociale, palestra, etj. 4 mijë persona janë në hotele, 254 në palestra, 6.5 mijë në çadra, 395 në qendra sociale, 769 në Kosovë dhe 436 në akomodime të tjera (Lexo këtu shifrat e plota të dëmeve).

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:02
Elbasan- Dëmtohet shtesa në pallatin 5 katësh, banorët të frikësuar: Të verifikohet nëse mund të banojmë këtu apo jo

Një shtesë 5 katëshe në lagjen 11 Nëntori në Qytetin e Elbasanit është dëmtuar rëndë nga tërmeti i rënë në 26 nëntor në Elbasan. Shtesa prej pesë katesh e ndërtuar me leje dhe e hipotekuar i rrezikon jetën 5 familjeve në afërsi te ish-Spitali Kirurgjik në Elbasan. Banorët shprehen se janë ankuar pranë Bashkisë Elbasan, por deri tani askush nuk ka shkuar për të verifikuar demet dhe t'i saktësojë banorëve  nëse kjo shtesë, e cila është dëmtuar që nga tërmeti  21 shtatorit, rrezikon apo jo të shembet. Ato kërkojnë që dëmet të inspektohen pasi po qëndrojnë në ambientet e banesave të tyre të trishtuar nga frika e pas lëkundjeve.

Ora 18:38
Ministria e Brendshme jep të dhëna zyrtare për dëmet dhe banesat që do shemben në qarkun e Durrësit (VIDEO)

Deri në orën  17:00 në qarkun e Durrësit janë inspektuar 4151 objekte, nga ku kanë rezultuar 1735 të pabanueshme, e ndërsa 268 do shemben në ditët në vijim. Në deklaratën për mediat nga Bashkia e Durrësit, zv. ministrja Rovenda Voda ka bërë me dije shifrat zyrtare, nga ku bëhet me dije se 338 persona kanë telefonuar në tre numrat e gjelbër, më specifikisht Tiranë – 142; Durrës – 158; Lezhë – 29; Elbasan – 1. Nga këto telefonata, pjesa më e madhe e tyre, 297 kanë qenë për verifikim dëmesh në banesë. Ndërkohë për përballimin e situatës në terren janë angazhuar mbi 800 punonjës policie.

Deklarata e plotë
QENDRA E RE DISPEÇER

Deri në orën 17:00 të ditës së sotshme, numri i thirrjeve të përpunuara deri tani nga gjashtë operatorët në dispozicion të qytetarëve për të tre numrat e gjelbër: 0694114100; 0694114101 dhe 0694114040 është aktualisht: 338 (Tiranë – 142; Durrës – 158; Lezhë – 29; Elbasan – 1).
Shumica dërrmuese prej 297 thirrjesh ka qenë për verifikim dëmesh në banesë.

PUNA NË TERREN
Përsa i përket bilancit paraprak të inspektimeve, të dhënat janë si në vijim:
Bashkia Durrës – 748 Objekte të inspektuara, 270 të pabanueshme, 34 për t'u prishur;
Bashkia Krujë – 2185 Objekte të inspektuara, 748 të pabanueshme, 8 për t'u prishur;
Bashkia Shijak – 1218 Objekte të inspektuara, 717 të pabanueshme, 228  për t'u prishur;

Në rang qarku, 4151 objekte të inspektuara.

PUNA NË TERREN
Përditësim i bilancit paraprak të situatës për prishjen e objekteve në zonat e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019, si në vijim:
27 prishje objektesh gjithsej, nga të cilat: 10 objekte në qytetin e Thumanës, dhe; 17 objekte në Bashkinë Durrës.

Ka filluar prishja e një objekti 4-katësh në zonën e plazhit, tek “Ura e Dajlanit” Durrës.
Vijohet të punohet për prishjen e 1 objekti 3-katësh në Shkozet, (autostradë) Durrës.

Në Thumanë:
Në vijim të deklaratës së orës 13:30 ku njoftuam për ecurinë e punës në terren konfirmojmë se u shemb Shkolla 9-vjecare "Ramazan Jangozi", objekt 2-katësh.

SIGURIA
Për përballimin e situatës në terren janë angazhuar mbi 800 punonjës policie.

Menjëherë pas ngjarjes së tërmetit të 26 nëntorit, strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës u angazhuan për përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe në mbështetje të gjithë institucioneve në bashkërendim të plotë me Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile me qendër në Durrës. Pas punës në terren të ditëve të para për misionet e kërkim-shpëtimit, strukturat e policisë kanë siguruar rendin në parametra normalë në të gjithë qarkun dhe monitorojnë terrenin për parandalimin e çdo lloj ngjarjeje me tendencë ndaj jetës, pronës dhe lirive të qytetarëve.
Aktualisht, nga punonjësit e policisë të DVP Durrës janë marrë në ruajtje objektet e mëposhtme:
- 18 pallate të dëmtuara dhe që nuk banon njeri.
- 3  objekte ku janë vendosur ndihmat.
- 3 hotele të dëmtuara dhe të pabanuara.
- 4 qendrat e akomodimit në hotele.
Duke ju falënderuar edhe njëherë për bashkëpunimin dhe vëmendjen, ju uroj një natë të mirë e të qetë!

Ora 18:27
Golem- I dëmtohet biznesi, pronari: Nuk na ka ardhur njeri për të na parë a jemi gjallë a vdek! Po flemë jashtë (VIDEO)

Tërmeti i 26 nëntorit që goditi shqipërinë,  la pas 51 viktima, pallate, shtëpi e biznese të dëmtuara. Një prej tyre është edhe hotel “Rugesa” në Golem, i cili ka pësuar dëme mjaft të mëdha në të gjithë godinën. Pronari i këtij biznesi Samir Elezi, shprehet se pavarsisht se kanë kaluar më shumë se një javë që nga tërmeti tragjik,  grupet e inspektimit ende nuk kanë zbritur në terren për të kryer verefikimet e dëmeve të shkaktuara. Ndërsa ai sëbashku me familjen e tij po qënrojnë jashtë, pasi në të njëjtin ambjent që kanë biznesin kanë edhe vendbanimin e tyre.

“Që ditën që ra tërmeti ne jemi larguar nga hoteli dhe po flejmë jashtë. Askush nuk ka ardhur ët na shikoje a jemi gjallë a jemi vdekur. I bëjmë thirrje shtetit që të vije ta shikoje ta verefikoje. Në strukturë mua më duket sikur nuk ka dëme, por ka shembje në mure. Unë për vete jam i sigure në çdo betonim kam qenë vetë këtu. Të cilsisë lartë. Kemi plasaritje, rrëzime muresh. Jemi edhe me fëmijë të vegjël. Nuk po rrimë ne në ghotel jo fëmijët. Goditja qe shumë e fortë”, tha Elezi. 

1575481180_hoteli8.jpg

Të njëjtin problem sipas Elezit, e kanë edhe mjaft biznese të tjera dhe banesa në këtë njësi administrative të Golemit.

 

Ora 16:24
Durrës/ Shembet me eksploziv edhe godina e dytë 5-katëshe në Shkozet (VIDEO)

Është shembur godina tjetër 5 katëshe në Shkozet të Durrësit. Shembja e kësaj ndërtese është bërë me shpërthim të kontrolluar nga forcat xhenio, pasi kishte marrë dëmtime të mëdha në strukturë për shkak të tërmetit. Megjithëse shpërthimi ka qenë i fortë, rreth tre kate të kësaj banese kanë qëndruar në këmbë, dhe shembja e tyre do të bëhet me fadroma.

1575472904_biegodina001.jpg

Ora 16:22
Lleshaj rikthehet te pallati i Pjerin Ndreut: Shumë zhurmë për asgjë! Është i sigurt...përplaset me ish-deputeten e PD (VIDEO)

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka qenë mesditën e sotme sërish në pallatin 12 katësh në Lezhë, për të cilët banorët kanë kërkuar një ekspertizë të dytë pasi ishin të pasigurt për të hyrë në banesat e tyre pas tërmetit. Leshaj, teksa e ka cilësuar si shumë "zhurmë për asgjë", ka deklaruar se ky pallat është i sigurt edhe pas certifikimit nga ekspertë izraelitë.

"Jemi këtu për të dytën herë për shkak të shqetësimit të banorëve të këtij pallati, po ta shkurtoja të gjithë përkufizimin e kësaj situate do të thoja "shumë zhurmë, për asgjë". Në harkun e 24 orëve janë bërë dy ekspertiza, një nga ekspertë shqiptarë dhe një nga izraelitë, dhe konkluzioni është i njëjtë, nuk ka asnjë problem me sigurinë e tij. Dua t'i ftojë banorët të kthehen në shtëpi, dhe të na lënë mundësi që të merremi me problemet e tjera. Probleme ka shumë, po jo këtu. Këtu njerëzit duhet të kthehen në jetën e tyre të përditshme, se nuk ka asnjë gjë për t'u shqetësuar. Mos bëni zhurmë kot, lus ata që duan t na ndihmojnë t'i bashkohen forcave, nëse nuk duan të na ndihmojnë të heshtin, as të mos përhapin panik. Nuk ka asnjë problem, merrni vesh shqip apo jo", tha Lleshaj.

Në përfundim të fjalës së tij, Lleshaj ka pasur një debat me ish-deputeten e PD-së, Lindita Metaliaj.

Ish-deputetja e PD-së: Kush janë ekspertët, mund të na i tregoni? Ju nuk jeni ekspertë dhe në radhë të parë duhet t'i kërkoni falje popullit të Lezhës për fyerjen dhe arrogancën e sjelljes suaj dje.
Lleshaj: Për këtë ke ardhur ti?
Ish-deputetja e PD-së: Jo unë jam në mbështetje të qytetarëve
Lleshaj: Kush je ti?
Ish-deputetja e PD-së: Unë jam Lindita Metaliaj, banoj në lagjen "Besëlidhja" dhe kamë ardhur që të jem në mbështetje të qytetarëve
Leshaj: Shkoni atje

Ora 15:14
Krujë, u vendosën shiritat e kuq pas tërmetit, vizitorët 'kokëfortë' shkelin rregullat (VIDEO)

Edhe pse janë vënë shirita kufizues që ndalojnë qytetarët të vizitojnë kullën e Kalasë së Krujës si pasojë e dëmtimeve nga tërmeti i 26 Nëntorit, disa prej tyre kanë këputur shiritat duke u futur brenda zonës, brenda së cilës nuk lejohet kalimi.

1575468884_kruje.jpg

Ora 14:59
Durrës/ Shembet godina e parë me eksploziv në Shkozet

Shembet godina e parë me eksploziv, në zonën e Shkozetit. Ndërtesa e parë 5 katësh është shembur ashtu siç ishte planifikuar. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta, fillimisht godinat ishin planifikuar të shemben të dyja njëkohësisht por mesa duket kjo nuk ka ndodhur. Ndërkohë godina tjetër ngjitur me godinën e parë që u shemb, do të shpërthehet po me eksploziv në një moment të dytë. Kallëpet e tritolit në godinën tjetër janë të vendosura, ndërsa pritet një vendim i dytë për të bërë shpërthimin. Ndërkohë qarkullimi është rihapur pasi u bllokua për pak minuta për shkaqe sigurie. Një godinë tjetër 6 katëshe u shemb gjatë ditës së djeshme po me eksploziv. 

Ora 14:10
Rrafshimi i godinave në Shkozet! 10' para dhe pas shpërthimit bllokohet autostrada

Në orën 15:00 në Shkozet do të shemben dy godina pasi janë bërë të pabanueshme nga tërmeti. E ndërsa banorët janë evakuuar, 10 minuta para dhe 10 minuta pas shpërthimit do të bllokohet autostrada Tiranë-Durrës, pasi godinat janë vetëm pak metra larg rrugës, raporton gazetari i Report Tv Arsen Rusta. Ndërkohë që ende vijon puna për vendosjen e eksplozivit për të bërë gjithcka gati për në orën 15:00 sipas ministrisë së Mbrojtjes.

Ora 13:49
Zv. ministrja e Brendshme: Janë shembur 1183 shtëpi! 5514 shtëpi dhe 558 pallate të dëmtuara rëndë

Zv. Ministrja e Brendshme Rovena Voda ka publikuar në një deklaratë për shtyp numrin e shtëpive dhe pallateve të dëmtuara nga tërmeti nga verifikimet e deritanishme

Janë shembur 1183 shtëpi në tre qarqe, janë dëmtuar rëndë 5514 shtëpi dhe 558 pallate, janë strehuar në hotele në Durrës 2269 persona, 1306 banorë të strehuar Lezhë. Deri tani janë prishur 23 objekte, 14 në Durrës dhe 9 në Thumanë. Voda tha se tashmë po vijon puna për prishjen e  dy objekteve të tjera në Durrës, Shkozet dhe për pastrimin e inerteve në këto objekte, ndërsa po përgatitet edhe shembja e shkollës në Thumanë.

Lidhur me banorët në zonat rurale të cilët kanë mbetur pa një strehë Voda tha se kjo ka qënë një zgjedhje e tyre, pasi nuk duan të largohen nga shtëpitë e tyre, duke zgjedhur të strehohen në çadra.

Deklarata e plote

Përshëndetje,

Vijojmë me përditësimin e të dhënave dhe bilancin paraprak të punës deri në orën 13:30 të ditës së sotshme në bashkitë Durrës, Krujë, Shijak, Kurbin, Tiranë, Kamëz, Vorë dhe Lezhë.

QENDRA E RE DISPEÇER

Më lejoni të përsëris edhe njëherë se në dispozicion të qytetarëve në qarqet Durrës, Lezhë dhe Tiranë, për çdo nevojë, janë në funksion tre numrat e gjelbër:

0694114100
0694114101
0694114040

Si dhe për çdo shqetësim apo pyetje lidhur me tërmetin e datës 26 nëntor, qytetarët mund t’i drejtohen edhe Platformës së Bashkëqeverisjes: 

www.shqiperiaqeduam.al

Deri në orën 12:00 të ditës së sotshme, numri i thirrjeve të përpunuara deri tani nga gjashtë operatorët në dispozicion të qytetarëve është aktualisht: 282 (Tiranë – 113; Durrës – 140; Lezhë – 28; Elbasan – 1). 


Shumica dërrmuese prej 245 thirrjesh ka qenë për verifikim dëmesh në banesë. 

DËME NË BANESA
Për qarqet Durrës, Tiranë, Lezhë, Kukës dhe Dibër janë bërë këto verifikime deri më sot, datë 4 dhjetor 2019:
 
Shtëpi të shembura:        1183 (Durrës 1050, Tiranë 131, Dibër 2)

Shtëpi të dëmtuara rëndë:   5514 (Durrës 3838, Tiranë 1311, Lezhë 168, Kukës 150, Dibër 13, Elbasan 34)

Shtëpi të dëmtuara lehtë:     3569 (Tirana 3248, Dibër 73, Elbasan 248)

Pallate të dëmtuara rëndë:     558 (Durrës 35, Tiranë 461, Lezhë 56, Kukës 4, Dibër 1, Elbasan 1)

Pallate të dëmtuara lehtë:    337 (Tiranë 330, Elbasan 7)

Pallate të pabanueshme:     20 (Tiranë)

Shkolla të dëmtuara:         28 (Tirana 11, Lezha 5, Kukës 3, Elbasan 9).

Kabina elektrike të dëmtuara: 15 (Tiranë).

Biznese të dëmtuara:         146 (Tiranë).

Qendra shëndetësore:         2 (Tiranë 1, Kukës 1).

AKOMODIMI

3975 qytetarë gjithsej të akomoduar në strukturat hoteliere për qarqet Lezhë dhe Durrës. 

2669 qytetarë në strukturat hoteliere Durrës: 
    
FAFA.............................448
ALER.............................135
IBISA.............................324
ETER...............................87
PAMEBA........................83
VALA............................100
DIAMMA......................357
KOLAVERI...................487
BONITA........................175
PISHAT E BUTA............98
DOLCE VITA............... 250
ARAGOSTA....................33
KASA...............................92

1306 qytetarë në strukturat hoteliere Lezhë: 

FROJDI.........................130
RAFAELO.....................831
ERMIRI.........................345

PUNA NË TERREN

Ndërkohë, kemi një përditësim të bilancit paraprak të situatës për prishjen e objekteve në zonat e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019, si në vijim:

23 prishje objektesh gjithsej, nga të cilat:

9 objekte në qytetin e Thumanës, dhe;

14 objekte në Bashkinë Durrës. 
 
Aktualisht po përgatiten për prishje dy objekte në Durrës:

1 objekt 3-katësh në Shkozet, Autostradë, Durrës;

1 objekt 5-katësh në Shkozet, Autostradë, Durrës;

Vijohet të punohet për prishjen e 1 objekti 3-katësh në Shkozet, Durrës.

Vijon puna për copëtimet dhe pastrimet e inerteve në këto objekte:
Në objektin afër kompleksit “Tropikal
Në shtëpinë e Familjes Reci, në qytet Durrës
Në Kompleksin “Miramare”
Në hotel “Vila Verde”
Në ndërtesën e Familjes Lala në Kënetë
Në objektin te Rr. “Bashkimi”, Durrës 
Në objektin te Rr. “Mujo Ulqinaku”, Durrës.

Në Thumanë:
Aktualisht po përgatitet të prishet Shkolla 9-vjecare "Ramazan Jangozi", objekt 2-katësh.

VULLNETARËT
Deri më sot, janë regjistruar për të ofruar ndihmë 302 vullnetarë dhe 18 OJF.

Duke ju falënderuar për vëmendjen dhe bashkëpunimin, ju njoftoj për takimin tonë të ores 18:30.

Ora 13:24
Krujë, ekspertët zviceranë inspektojnë Muzeun Kombëtar Gjergj Kastrioti dhe atë Etnografik

1575462311_muzeu.jpg

Një ekip ekspertësh nga Zvicra kanë nisur kontrollet në Muzeun Kombëtar Gjergj Kastrioti dhe në Muzeun Etnografik për të konstatuar nëse kanë pësuar dëme nga tërmeti. Kjo vjen pas konstatimit të dëmeve në Kullë e Kalasë së Krujës.

Ora 13:22
Durrës, xhenierët bëjnë gati shembjen me eksploziv të 5-katëshes në Shkozet

1575462194_pallati.jpg

1575462205_de34b16d5ade42da8f2def063a1029c0.jpg
Xhenierët e Forcave të Armatosura po vijojnë punën për hapjen e furnelave për shembjen e kontrolluar te objektit 5-katësh në Shkozet me eksploziv.

Ora 13:09
Ambasada Amerikane: Inxhinierët amerikanë përfundojnë vlerësimin e 14 ndërtesave në Durrës

Ambasada Amerikane në Tiranë njoftoi se Zyra për Ndihmë të Jashtme në raste Fatkeqësish e USAID në Shqipëri, po vazhdon të mbështesë përpjekjet për ndihmën ndaj personave të prekur nga tërmeti dhe se ekipi i inxhinierëve ka përfunduar vlerësimin strukturor të 14 ndërtesave në Durrës.

Reagimi: Zyra për Ndihmë të Jashtme në raste Fatkeqësish e USAID në Shqipëri vazhdon të mbështesë përpjekjet për ndihmë ndaj tërmetit të 26 nentorit. Dje, partneri i tyre vendor, Kryqi i Kuq Shqiptar shpërndau ushqime, batanije dhe artikuj higjene për 70 familje, ndërsa ekipi i inxhinierëve mbaruan vlerësimin strukturor të 14 ndërtesave në Durrës.

Ora 13:05
Durrës, u rikonstruktua në muajin gusht, dëmtohet pas tërmetit godina e Gjykatës së Apelit

Gjykata e Apelit dhe Prokuroria kanë pësuar dëmtime të rënda nga tërmeti i 26 Nëntorit. Gazetari i Report Tv Arsen Rusta raporton se dëmet janë kryesisht në kolona. Në muajin gusht godina e gjykatës i ishte nënshtruar një rikonktruksioni të pjesshëm, kryesisht në sallën e komunikimit me publikun.

Ora 12:40
Durrës, tërmeti e kthen lokalin e dasmave dhe hotelin në gërmadha

Report Tv sjell pamjet nga një tjetër godinë e shkatërruar nga tërmeti. Bëhet fjalë për një 4-katëshe në lagjen nr. 14 në Shkozet në Durrës. Kati i parë ishte market, i dyti lokal dasmash dhe dy të tjerët hotel.

Ora 12:35
Durrës, turqit i vënë kryqin, edhe shkolla 'Neim Babameto' do të shembet

Tërmeti shkatërroi edhe shkollën 9-vjeçare "Neim Babameto" në Durrës në lagjen nr.15 e cila do të shembet, ndërsa Report Tv sjell pamjet që tregojnë dëmet e shkaktuara. Ekspertët nga Turqia i vendosën kryqin për ta shembur, pasi ka pësuar dëmtime në strukturë ndërsa mësuesit dhe punonjësit e tjerë kanë nxjerrë të gjitha materialet jashtë. Nxënësit që do të kanë banesat afër kësaj shkolle dhe nuk kanë pësuar dëme do të transferohen në një tjetër shkollë, ndërsa për ata në hotele ka një tjetër plan.

Ora 12:17
Tiranë, dëmtohet pallati i Shallvareve, duhet ekspertizë nga Instituti i Ndërtimit

Nga tërmeti i 26 Nëntorit ka pësuar dëmtime të rënda edhe pallati i Shallvareve në kryeqytet. Në aktin e konstatitimit thuhet se në bodrumin e pallati ka dëmtime ë kolonave nga ndërhyrjet e njerëzve për vendosjen e zgarave metalike.

"Në bodrum ka disa dëmtime të kolonave nga ndërhyrjet e njerëzve për vendosjen e zgarave metalike, shikohet me sy hekuri i kolonave. Banorët janë të shqetësuar se janë shtuar. Ka çarje të muraturës në apartamente në katin e parë. Mendojmë të bëhet ekspertizë termike nga Instituti i Ndërtimit", thuhet në aktin e konstatitimit.

Gazetarja Klesiana Omeri raporton se banorët e këtij pallati kërkojnë të dinë nëse ky pallat është apo jo i banueshëm.

Akt eskspertiza
Ora 12:05
Thumanë, nis shembja e shkollës që u dëmtua nga tërmeti (PAMJET)

Shembet shkolla 9-vjeçare 'Ramazan Jangozi' në Thumanë pasi u dëmtua nga tërmeti tragjik. Shkolla ishte rikonstruktuar vetëm pak muaj më parë, por tërmeti e copëtoi duke carë muret dhe strukturën kryesore. Ekspertët dhe prokurori morën kampionë për të hetuar cilësinë e rikonstruksionit që është bërë, pasi dëmtimet janë në të gjitha anët. Veshja me polisterol e shkollës ka mbuluar dëmet e mëparshme, por tërmeti i 26 nëntorit i dha goditjen përfundimtare.

Ora 11:47
Laç, këto janë 7 pallatet që do të shemben, nis zbrazja, banorët: Shpresë te qeveria (VIDEO)

Pallatet që janë shpallur të pabanueshëm në Laç kanë nisur të zbrazen, pasi do të shemben. Banorët po largojnë orenditë shtëpiake nga këto objekte, pasi do te nise prishja e tyre.

Ora 11:43
Durrës, godina e vjetër e pabanuar u rrezikon jetën, banorët: Shembeni se po na zë brenda

Disa banorë në lagjen nr. 11 në Durrës kërkojnë nga institucionet që të shembet një objekt i pabanuar dhe i rrënuar, pasi u rrezikon jetën duke qenë se ka mbetur vetëm si karakatinë. "Kemi tre vite që kërkojmë të shembet kjo karakatina. Tërmeti i shtatorit i dha goditje, tani në nëntor po na fundos brenda. Të shembet kjo banesë se po na zë brenda" tha ajo.

Ora 11:33
Ministria e Financave dhe Ekonomisë: Ja godinat e institucioneve nën varësi që janë dëmtuar nga tërmeti

Tërmeti që goditi Shqipërinë në 26 nëntor nuk ka kursyer as institucionet shtetërore. Dëmtime e shumta janë konstatuar në Institucionet që janë në varësinë e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë bën me dije se godina e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ka pasur dëmtime të mëdha strukturore.

Sipas akt konstatimit të  inspektorëve të Insitutit të Ndërtimit,  kjo godinë  është jashtë funksionit.

Siç bën me dije MFK, janë marrë të gjitha masat për mirëfunksionimin e punës, ku është kryer transferimi i serverave pranë zyrave të AKSHI, si dhe është kryer transferimi i sektorëve kyç (VQ dhe SKAO) pranë zyrave të disponueshme në gjendje pune.

Godina e Agjencisë se Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, ka vetëm plasaritje murature dhe rënie suvaje, jo të rrezikshme për vazhdimin e punës dhe jetën e punonjësve.

Njoftimi i MFK:

Në Degnë e Thesarit Laç –Janë krijuar disa plasaritje në sipërfaqet e murit, të tavanit si dhe lëvizje të pllakave të dyshemesë.

Ne Degen e Thesarit Tirane,  në koridorin e katit e dytë të ndërtesës ka carje të trarit të tavanit dhe kolonës të murit anesor- dëmtime strukturore

Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale

Ne lidhje me verifikimet e bëra gjëndja në katin e parë është më e rëndë, pasi ka çarje muresh dhe të kollonës, ndërsa në katin e mësipërm janë konstatuar vetëm çarje muresh.

Shtypëshkronja e letrave me vlerë

Ka pasur dëmtime të ndryshme plasaritje dhe carje murature.

Drejtoria e Përgjithsme e Metrologjisë

Janë konstatuar dëmtime  në objekt janë në pozicionet e fugave strukturore ( zonat e bashkimit të objektit) të cilat nuk sjellin humbje të qëndrueshmërisë të objektit por cënojnë funksionimin normal të ecurisë së punës në këtë institucion.

Shkolla Mihal Shahini –Cerrik (Baza Prodhuese e shkolles)

Në Bazën Didaktike të shkollës- ka plasaritje vertikale dhe murature.

QKB

Ka pasur dëmtime të ndryshme murature por vihen re dhe carje horizontale sipas forcës prerëse të cilat po evidentohen qartë dhe riparohen.

Drejtoria e Përgjithshme e Standartizimit

Ka plasaritje në tra-kollonë, po vlerësohen dhe riparohen

Shkolla Hysen Cela Durres

Ka dëmtime në kate, carje dhe plasaritje. Për të vërtetuar sa është shkalla e rrezikshmërisë së dëmtimeve, po shikohen nga inxhinierë përkatës pasi mund të jenë ndoshta dhe carje të kolonave.

Ora 10:53
Tiranë, u godit nga tërmeti, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave del jashtë funksionit

Nga tërmeti i i fuqishëm i 26 Nëntorit është dëmtuar rëndë godina e Drejtorisë së Përgjitshme e Doganava. Ajo ka pësuar dëme të mëdha strukturore. Të gjithë punonjësit janë evakuuar nga godina dhe është kryer transferimi i serverave të AKSHI-t

Njoftimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave

Tërmeti që goditi Shqipërinë në 26 nëntor nuk ka kursyer as institucionet shtetërore. Dëmtime e shumta janë konstatuar në godinën e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, e cila ka pësuar dëmtime të mëdha strukturore. Sipas akt konstatimit të  inspektorëve të Insitutit të Ndërtimit,  kjo godinë  është jashtë funksionit.
Nga drejtuesit e këtij institucioni aktualisht janë marrë të gjitha masat për evaukimin  e punonjësve në godina të tjera, cka garanton mirëfunksionimin e punës dhe ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe biznesit. Nga DPD është miratuar “Manuali mbi mënyrën e funksionimit të sistemit doganor lidhur me deklarimin, verifikimin, kontrollin dhe çlirimin e mallrave në raste emergjence”. Është kryer transferimi i serverave pranë zyrave të AKSHI-t, si dhe është kryer zhvendosja e sektorëve kyç (VQ dhe SKAO) pranë zyrave të disponueshme në gjendje pune.
Të gjitha degët doganore kufitare, edhe të brendshme, në çdo moment kanë funksionuar me kapacitete të plota.

Ora 10:49
Tiranë, nxënësit e 'Sami Frashërit' do të vijojnë mësimin në këto dy gjimnaze

Një tjetër shkollë e dëmtuar në Tiranë nga tërmeti është gjimnazi 'Sami Frashëri' që i jane vendosur shiritat. Për godinën ende nuk është marrë një vendim nëse do të shembet apo do të riparohet. Por deri atëherë, gazetarja e Report Tv, Doris Sallaku mëson se nxënësit do të zhvendosen te gjimnazet 'Qemal Stafa' dhe 'Sinan Tafaj' për të vijuar mësimin.

Ora 10:25
Durrës, sot do të shemben me eksploziv edhe dy pallate 5-katëshe në Shkozet

Ministria e Mbrojtjes njofton se ditën e sotme efektivët e Batalionit të Xhenios të Forcave të Armatosura po punojnë për shembjen e kontrolluar të 2 objekteve 5-katësh në Shkozet, të klasifikuar si të pabanueshëm nga ekspertët dhe të caktuar për t’u shembur. Shembja e kontrolluar e objektit të parë është parashikuar të ekzekutohet sot rreth orës 15.00. Dje u shemb pallati i parë me eksploziv në zonën e Plazhit në Durrës. 

Ora 10:22
Durrës, mure të çara dhe suvaja në tokë, shikoni si e ka shkatërruar tërmeti pallatin

Report Tv sjell pamjet nga gjendja që ndodhet një tjetër pallat në Durrës që u dëmtua nga tërmeti. Banorët e pallatit që ndodhet në lagjen nr. 18 në Durrës, prapa stadiumit 'Niko Dovana' kanë dërguar në redaksinë e Shqiptarja.com pamjet e gjendjes së pallatit, që është dëmtuar shumë nga lëkundjet sizmike. Pallati pritet që të vlerësohet nëse mund të riparohet apo do të shembet nëse ka dëmtime në strukturë. "Është shkatërruar në një gjendje katastrofe" thonë banorët.

Ora 10:20
Thumanë, u dëmtua nga tërmeti, sot shembet shkolla 9-vjeçare! Ishte rikonstruktuar këtë vit

Shkolla 9-vjeçare Ramazan Jangozi në Thumanë e cila u rikonstruktua këtë vit, ka pësuar dëme të rënda nga tërmeti dhe do të shembet ditën e sotme.

Ora 10:19
Ambasada franceze: Të tjerë inxhinierë vlerësues nga Franca

Ambasada franceze në Tiranë ka njoftuar se inxhinierëve francezë të vlerësimit të dëmeve prej tërmetit, UIISC7, do ti bashkohen edhe një tjetër ekip vlerësues.

Në një postim në Facebook, Ambasada shkruan se Franca ka dërguar në total në Shqipëri një ekip ndihme me rreth 100 trupa.

“Të vendosur në qytetin e Durrësit, ekipet e shpëtimit u angazhuan menjëherë në operacionet e rikuperimit të dy viktimave dhe rikuperimit të të tjerëve nën një ndërtesë gjashtë katëshe e rrënuar plotësisht në dy katet e para. Në përfundim të fazës së shpëtimit, në koordinim me ekipet italiane dhe zvicerane, të dy detashmentet franceze përqendruan përpjekjet e tyre në misionet e vlerësimit të ndërtesave të dobësuara nga tërmeti, një vlerësim i kryer nga bashkia Durrës dhe mbështetur nga një njësi ndërkombëtare e koordinimit bashkërisht edhe me ekspertë të Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian”.

Ora 10:06
Bubq, shkolla e ndërtuar 30 vite më parë që u dëmtua nga tërmeti drejt shembjes

Shkolla e Përgjithshme Selman Daci në Bubq është vlerësuar se duhet shembur pasi ka dëmtime të rënda. Nuk dihet ende kur do nisë shembja e saj, ndërkohë që është njoftuar se nxënësit e kësaj shkolle do të transferohen në Fushë Krujë. Shkolla e Bubqit ka 261 nxënës, duke nisur nga cikli parashkollor deri në vitin e fundit të gjimnazit. Ajo është ndërtuar në vitin 1988.

Ora 10:04
Tiranë/ Rikonstruksioni u bë 2016, tërmeti çan shtesën te shkolla 'Emin Duraku' në ish- Bllok, do shembet

Një nga shkollat që ka pësuar dëmtime në Tiranë nga tërmeti është edhe "Emin Duraku" në ish- Bllok. Shkolla përbëhet nga dy godina, fillorja dhe 9-vjeçarja, ku janë bërë dy shtesa në 1996 dhe 2006, të cilat si pasojë e tërmetit janë dëmtuar.

Nga tërmeti është dëmtuar më shumë dhe rrezikon vetëm fillorja, e cila është shtuar në vitin 2006 si pasojë e rritjes së kapacitetit, ndërsa në 2016 ishte bere rikonstruksioni i fundit. Në këtë pjesë shtesë të shkollës trarët nuk ishin vendosur mbi kolonat, por në mure. Kësaj godine i është vendosur shiriti dhe do te shembet, ndërsa pjesa tjetër e 9-vjeçarjes nuk ka pësuar dëmtime dhe mësimi pritet të vijojë.

"Shkolla Emin Duraku, ka sistem konstruktiv me mure mbajtëse, tra dhe kolonë. Shkolla ka plasaritje të thella në muret ndarëse, dëmtim i traut të katit të tretë shtesë. Plasaritje të thella të suvasë në katin e tretë shtesë, dëmtim i parapetit në të gjithë godinën, shkëputje të shtesës nga objekti ekzistues. Bordi dhe shkolla kërkojnë shkallë emergjence. Shkolla ka dëmtime në strukturë, të pezullohet aktiviteti deri kur të bëhen përforcimet e nevojshme" thuhet në procesverbalin e institutit të ndërtimit që ka siguruar Report Tv.

Procesverbali i mbajtur nga Instituti i Ndërtimit mbi gjendjen e shkollës
/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Erti: 04/12/2019 12:36

    Shkolla e thumanes dhe shkolla e borizanes jane rikonstruktuar vjet i bej thirrje prokurorise te hetoj eshte vjedhur shume lek me sq lek mund te ishin bere nga e para jo lluster me coll e aq kan fut n xhep 1 milion euro ka qen fondi vtm x dhkollen e borizanes

    Përgjigju
  • NENA: 04/12/2019 10:48

    pallate patatinash

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: 'Shqipëria turistike' fenomeni i 2024, 10 vjet më parë disa qytete natën kishin vetëm qen dhe mace, zero turistë!

Spahiu: 'Shqipëria turistike' fenomeni i 2024, 10 vjet më parë disa qytete natën kishin vetëm qen dhe mace, zero turistë!