Ish-këshilltarja e Berishës në 'Pa Protokoll': Asnjë qeveri s'e mori seriozisht problemin sizmik në Shqipëri

13 Dhjetor 2019, 21:55

TIRANE-Zana Guxholli, ish-këshilltare e Sali Berishës kur ishte kryeministër, e ftuar në emisionin 'Pa Protokoll' në Report Tv u shpreh se qeveria nuk e menaxhoi si duhet situatën tragjike pas tërmetit. Ajo u shpreh se  Shqipërisë i mungojnë strukturat dhe përgatitjet për t'u përballur me situata të tilla. Për Guxhollin, asnjë nga qeveritë nuk e ka marrë kaq seriozisht problemin sizmik, kur Shqipëria është ndër vendet me sizmikë të lartë.

"Ky tërmet tregoi sa të pa përgatitur ishim ne, qeveria dhe individët dhe strukturat e tjera. U tregua paaftësia totale për të menaxhuar situata të tilla, emergjenca civile ku është, ka para në buxhet, a i ka tamam dhe si i ka shpenzuar? Përgatitja e atyre që merren me emergjencën na la pa fjalë, shihje në TV policët që mundoheshin të nxirrnin trupat dhe nuk dinin. Sapo filluan ndihmat, pamë skuadrat e specializuara, pasi falë tyre e menaxhuam këtë situatë. Treguan se nuk kishim menduar asnjëherë për një situatë të tillë, megjithëse dihet...ne na mungojnë strukturat dhe përgatitjet. Kjo nuk është gjë e sotme, kjo ka munduar edhe në qeverisjen e mëparshme, të para-ndryshimeve.

Asnjë nga qeveritë nuk e ka marrë kaq seriozisht problemin sizmik, kur Shqipëria është ndër vendet me sizmikë të lartë dhe asnjë përqasje nuk shkon në linjë me këto. Mungojnë standardet rregullat organet e kontrollit, të certifikimit, ndëshkimit, ka konflikt interesi, qeveria edhe kolaudimin ua ka lë në dorë ndërtuesve, dhe që ne e dimë mirë që në një vend të vogël, njohim njëri tjetrin dhe kolaudimi bëhet sikur e do ndërtuesi. Tani tragjedia po kthehet në komedi" tha ajo.

Në fakt deri në vitin 2007, Shqipëria, si çdo vend me sizmicitet të lartë, ka pasur një institut dhe rrejt sizmologjik, me qëllim informimin në kohë të qytetarëve dhe organizmave shtetërore kur bien tërmete të forta, për të evituar humbjen e jetëve njerëzor. Por në gusht të vitit 2007, Sali Berisha, në atë kohë kryeministër, vendosi të shkrinte Institutin e Sizmologjisë, duke e bashkuar me disa departamente të tjera, ku të gjitha së bashku do organizoheshin në Institutin e Gjeoshkencave (IGJEO), si njësi kryesore, pranë Universitetit Politeknik të Tiranës (lexo ketu).