Ishte si i ftuar por 'e shiti' si organizator eventin për interesa elektorale, BE nxjerr zbuluar Bashën

23 Mars 2021, 22:59 | Përditesimi i fundit: 2021-03-23 23:01:38

Edhe pse u përpoq ta shiste si një konferencë të organizuar prej tij dhe se komisionerët e BE përkrahin programin e arsimit të PD, duket se gënjeshtra e kryedemokratit Lulzim Basha nuk ka zgjatur shumë.

Paraditen e sotme kreu i PD-së, Lulzim Basha e shiti një event sikur të ishte i tij ku pretendoi se kishte ftuar edhe komisioneren e BE-së për Edukimin, Inovacionin dhe Rininë, Mariya Gabriel që të merrte pjesë në prezantimi e programit të tij për arsimin.

Por e vërteta duket se qëndron krejt ndryshe dhe këtë e sqaroi zyra e shtypit e Komisionit Evropian në Bruksel, pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama, i cili tha se BE duhet të sqarojë nëse ka të drejtë të përfshihet apo jo në fushata elektorale.

Zëdhënësja për shtyp e KE, Ana Pizonero theksoi se aktiviteti i sotëm ishte në nivel rajonal dhe pa asnjë ndikim në situatën politike shqiptare.

“Komisioni nuk komenton mbi komentet e palëve të treta. Lutemi të keni parasysh që Komisionerja Mariya Gabriel mori pjesë në Tryezën e 18-të Rrumbullakët mbi Arsimimin, me ftesë të Universitetit Modul të Vjenës, i cili është organizatori i këtij eventi. Pjesëmarrja e komisioneres ishte e kufizuar vetëm në dhënien e një fjalimi kryesor”, tha zëdhënësja e KE.

Pra aktiviteti qenka organizuar nga Universiteti Modul i Austrisë dhe jo nga Basha dhe si kryedemokrati dhe komisionerja e BE kanë qenë të ftuar në këtë event.

Ky aktivitet nxorri në pah dy gjëra të rëndësishme:

1. Që Lulzim Basha, i cili pretendon të bëhet kryeministër i ardhshëm, ka gënjyer pasi  eventin e ka bërë Universiteti në Austri dhe jo kryedemokrati, i cili ka qenë dhe vetë i ftuar në të.

2. Kërkesa e kryeministrit Edi Rama se BE nuk mund të përfshihet në fushata elektorale të një vendi tjetër, kanë qenë të drejta dhe se komisionerja e BE nuk ka marrë pjesë në eventin e Lulzim Bashë, pasi nuk i lejohet

Ky keqpërdorim nga ana e Lulzim Bashës me shpresën se po rrit besueshmërinë e tij te shqiptarët apo se do të ndikojë në fushën elektorale pro PD-së e pati fatin e shkurtër (në mos e përkeqëson më tej pas këtij skandali), pasi e vërteta del gjithmonë në pah ose siç thotë popull "E vërteta vonon por nuk harron".